Prishtinë, 19 shkurt, NOA - E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian. Një fakt të tillë e ka bërë me dije kryediplomatja evropiane, Katerina Ashton, gjatë qëndrimit të saj për një vizitë në Prishtinë. Pas takimeve që zhvilloi me kryeministrin Hashim Thaçi dhe udhëheqësit e misioneve civile ndërkombëtare në Kosovë, Ashton i inkurajoi vendet e rajonit të kultivojnë dialogun dhe bashkëpunimin rajonal, si pjesë e politikave që e shpien Ballkanin drejt BE-së.
"Kosova ka perspektivë të qartë evropiane dhe pavarësisht faktit se 5 nga 27 vende të BE-së nuk e njohin ende shtetin e Kosovës, ekziston një pajtueshmëri të plotë se Kosova dhe rajoni kanë perspektivë evropiane dhe paraqesin prioritet në azhendën politike të BE-së", pohoi ajo më pas.
Më tej, shtoi se Bashkimi Evropian është absolutisht i bashkuar 100 për qind, duke rikujtuar përkrahjen që Brukseli i ofron Kosovës në fushën e sundimit të ligjit përmes misionit të EULEX-it dhe investimeve të vazhdueshme për zhvillimin ekonomik të saj, para se të bëhet anëtare e BE-së.
Në planin e brendshëm, ajo ka kërkuar nga kryeministri dhe qeveria e Kosovës që të vazhdojnë bashkëpunimin me EULEX-in dhe t'i përkushtohen zhvillimit ekonomik në mënyrë që të sigurohen edhe investimet nga jashtë. Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se Kosova angazhohet për bashkëpunim rajonal dhe është e gatshme që, si dy shtete të barabarta, të bashkëpunojë edhe me Serbinë, në kuadër të procesit të integrimit të rajonit në strukturat euroatlantike. n.e/NOA