Tiranë, 19 shkurt, NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, deklaroi sot se arka a buxhetit të shtetit është bosh dhe shumë prej investimeve në zonën e Beratit janë të pamundura.
Në një konferecë për shtyp. Braçe deklaroi se shpenzimet operative të qeverisë kanë lënë pa përfundur shumë projekte në këtë qark që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.Duke u ndalur në projektet e qytetit të Beratit ai ka shtuar se duhet ndërhyrje urgjente për përmbytur në lagjet e tij periferike, kryesisht Uznovë për shkak të prurjeve të mëdha të lumit Osum. "Qyteti është në rrezik në lagjet historike të tij, Mangalem e Goricë por edhe në lagjet e reja informale të ngritura në shpatet lindore e perëndimore të kalasë së Beratit ku ka rrëshqitje masive të dherave dhe gurëve të mëdhenj", u shpreh Braçe.
Ai ka theksuar se situata është e ngjashme në shumë zona të tjera ku reshjet e shiut kanë sjellë përmbytje dhe shkarje të dherave.
Sipas deputetit të PS-së qeveria ka shkurtuar grandin në komunën Vertop me 42 mln lekë, në Rroshnik me 30 mln lekë, në Sinjë 50 mln lekë, në Lumas 40 mln lekë, në Perondi 45 mln lekë, në Kozare 30 mln lekë dhe në bashkinë Berat 220 mln leke.
"I bëj apel Sali Berishës, tek i cili në trajtë të shkresave zyrtare ky informacion është prej ditësh, të ndërpresë politikën e veshit të shurdhër, të marrë masa të menjëhershme, të çelë buxhetin e të tërheqë ndërprerjen e fondeve publike për këto komunitete të cilat tani janë në nevojë ekstreme! Të ndërhyjë tani, nesër do të jetë shumë vonë!", ka deklaruar Braçe.
m.xh/NOA