Tiranë, 19 shkurt, NOA Update - Qeveria nuk kishte likuiditete në fund të vitit të kaluar dhe dhe prandaj ka përdorur të ardhurat e Bashkisë së Tiranës. Një akuzë e tillë është bërë gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës, e cila po zhvillohet në këto momente, nga përfaqësuesja e këtij institucioni, nënkryetarja Albana Dhimitri. Sipas saj, fondet e Bashkisë janë vonuar nga Thesari dhe prandaj në dokumentacionin e paraqitur për buxhetin nga qeveria, mund të ketë edhe vonesa.
"Ne kemi ardhur për të prezantuar buxhetin dhe ju nuk doni të na lini, kërkoni të na bllokoni", ka qenë një akuzë tjetër që ajo ngriti më pas ndaj këshilltarëve demokratë dhe vetë kryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Sokol Dervishaj.
Ky i fundit e ka kundërshtuar atë duke i pohuar se këto janë veçse fjalë mitingjesh, me nuancë politike, që ajo nuk mund t'i përdorë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Mbledhja e Këshillit po vazhdon me tone të larta dhe debate mes këshilltarëve bashkiakë të Tiranës.
n.e/NOA