Tiranë, 19 Shkurt NOA - Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në vazhdën e ndihmave për zonat e përmbytura në Shkodër, që në fillim ka marrë angazhimin për t'ju gjendur pranë familjeve të kësaj zone me ndihma konkrete. Fillimisht janë derdhur 10 mijë euro në llogarinë e hapur bankare për banorët e zonave të përmbytura, shumë kjo e miratuar nga Kryesia e KMSH-së.
Pas kësaj shume Komuniteti Mysliman në bashkëpunim me Fondacioni Mirësia kanë dorëzuar dje në Shkodër një shumë prej 15.000 euro për jetimët e zonës së përmbytur dhe 5.000 euro materiale të ndryshme, si batanije etj.
Ceremonia e dorëzimit të këtyre shumave është bërë në prani të pushtetit lokal, përfaqësuar nga nënkryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër z. Hajrullah Gjekaj, nënkryetari i KMSH-së z. Bujar Spahiu, drejtori i Fondacionit Mirësia z. Korab Kaja, përfaqësues të Komunitetit Mysliman nga Tirana dhe Shkodra, qytetarë, media, etj.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka shprehur gjithmonë mbështetjen dhe solidaritetin e plotë për përballimin e situatës së emergjencës në zonat e prekura nga përmbytja në Qarkun e Shkodrës, si pushtet qendror, atij lokal dhe banorëve të kësaj zone.
Krahas këtyre Komuniteti Mysliman thotë se do të vazhdojë mbledhjen e ndihmave nga myftinjtë e rretheve të tjera të Shqipërisë.
"Lusim Zotin që t'ia lehtësojë sprovën të prekurve nga përmbytja dhe t'i ndihmojë ata që të kthehen sa më parë në normalitet:, - deklarojnë drejtuesit e KMSH.
e.r/NOA