English

Marko Prelec: Vendimi i GJND, teknik

Uashington, 19 shkurt, NOA - Serbia është pengesa kryesore mes Kosovës dhe normalizimit të plotë të marrëdhënieve të saj ndërkombëtare. Kështu u shpreh për "Zërin e Amerikës", Marko Prelec, drejtor i Projektit për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave. Ai shton se megjithatë, taktikat që po ndjek Beogradi janë të papërgjegjshme meqenëse nuk kanë një objektiv të përcaktuar. Ndërsa, në lidhje me vendimin e pritshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, eksperti i GNK-së thotë se ai ka të ngjarë të jetë një vendim teknik që nuk do të ketë ndonjë ndikim të madh në rajon.

Zoti Prelec, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, në përvjetorin e dytë të vendit, akuzoi Serbinë si problemin e vetëm të politikës së jashtme të Kosovës. Ku qëndron Kosova tani përsa i i përket marrëdhënieve me jashtë dhe pozitës së saj në komunitetin ndërkombëtar?

- Pa komentuar direkt në lidhje me deklaratën e presidentit Sejdiu, do të thosha se është e vërtetë që Serbia është pengesa kryesore mes Kosovës dhe normalizimit të plotë të marrëdhënieve të saj ndërkombëtare. Veçanërisht sepse shumë vende nuk hyjnë në marrëdhënie diplomatike me Kosovën nëse Serbia nuk e njeh atë, apo nëse ajo nuk jep ndonjë sinjal miratues për ta njohur apo për të krijuar marrëdhënie me Kosovën. Pra në këtë kuptim kjo është e vërtetë dhe është mënyra përmes të cilës Serbia dëmton Kosovën dhe popullin e saj. Qëndrimi i Serbisë për të mos njohur atë që ajo e konsideron si provincën e saj të shkëputur, është i kuptueshëm, edhe nëse jo i drejtë, por kjo nuk i jep Serbisë të drejtën për të dëmtuar interesat e popullit në Kosovë.

Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç tha se vendi i tij ka arritur sukses në dy prej tre përparësive të lidhura me Kosovën: ndalimi i njohjeve dhe mosanëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Por duke pasur parasysh se Kosovën e kanë njohur 65 vende dhe ajo është anëtarësuar në FMN dhe në Bankën Botërore, a qëndron kjo deklaratë e zotit Jeremiç?

- Kjo qëndron vetëm deri diku, sepse këto janë fitore taktike. Është e rëndësishme të pranohet se pavarësia e Kosovës dhe statusi i Kosovës si vend i pavarur janë fakte të pakthyeshme dhe asnjë nga gjërat që ka bërë Serbia nuk do ta ndryshojë këtë. Ajo që nuk është e qartë për asnjeri në rajon, dhe mund të mos jetë e qartë edhe për vetë Serbinë është synimi përfundimtar i politikës serbe? Mendoj se është e papërgjegjshme të ndjekësh taktika për të fituar avantazh përmes mosnjohjes, apo mosanëtarësimit në organizatat ndërkombëtare pa e ditur objektivin përfundimtar. Dhe deri sa Serbia të mos jetë në gjendje ta artikulojë një synim të tillë për vete dhe për të tjerët, ajo do të përballet me kritika nga vende të rëndësishme të komunitetit ndërkombëtar.

Kosova dhe Serbia po presin vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. A pritet që Gjykata të dalë me një vendim të prerë dhe çfarë ndikimi do të ketë ai?

- Mendoj se Gjykata do të përpiqet të japë një vendim që nuk do të trazojë ujërat, dhe do të përpiqet të mos vërë ndonjë standard për shtete apo territore që aspirojnë për pavarësi. Mendoj se do të jetë një vendim teknik dhe do të ketë diçka që ose do t'i kënaqë apo shqetësojë si Prishtinën ashtu edhe Beogradin. Pra nuk duhet të presim që ai të ketë ndonjë ndikim të jashtëzakonshëm në rajon.

Pra a mendoni se vendimi nuk do të ndikojë tek njohja e mëtejshme apo anëtarësimi i Kosovës në organizata të tjera ndërkombëtare?

- Mendoj se vendimi do ta bëjë të mundur që disa shtete që deri tani e kanë pritur atë, ta njohin Kosovën. Por besoj se vendimi i GjKN-së do t'ua hedhë barrën përsëri mbi shpatulla Kosovës dhe sidomos Serbisë për t'i nxitur ata të normalizojnë marrëdhëniet.

Disa pjesë të Kosovës ende nuk e pranojnë qeverinë qendrore të Prishtinës, siç është Mitrovica veriore. Cila është mënyra më e mirë për integrimin e këtyre komuniteteve?

- Ky do të jetë një projekt afatgjatë. Asgjë nuk do të zgjidhet shpejt. Ka hapa që mund dhe duhet të ndërmerren për të vendosur rendin në Mitrovicën Veriore, sidomos fillimi i punës në Gjykatën e Qarkut të Mitrovicës me stafin e duhur gjyqësor. Por për sa i përket integrimit të plotë të kësaj zone, kjo do të marrë shumë kohë dhe nuk mund të bëhet përmes hapave radikalë. Plani i fundit i njoftuar nga Zyra Civile Ndërkombëtare dhe qeveria e Kosovës është shumë i rëndësishëm si mesazh sepse tregon se veriu i Kosovës është pjesë e Kosovës dhe nuk do të lejohet shkëputja e tij. Megjithatë ai nuk është plan që siguron rezultate shumë shpejta për atë rajon.

VOA

KOMENTE