English

"Marlboro", sekuestrohen 4 mijë paketa

Librazhd, 19 shkurt, NOA - Plot 4 mijë paketa cigare të markës "Marlboro" janë sekuestruar sot në kuadrin e operacionit të koduar "Malboro", të dyshuara si mall kontrabandë.

Lajmi konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të Elbasanit, sipas të cilave, kjo sasi cigaresh është kapur në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, konkretisht në dalje të qytetit të Librazhdit.

Më tej, thuhet se këto paketa iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 27-vjeçarit Gledi Gabri, lindur dhe banues në Kapshticë të Korçës.

Ai ishte duke i transportuar ato në automjetin e tij, tip Benz, me targa TR 0827 I, i cili kishte si destinacion tregun e Tiranës.

Gjithashtu, pranë Policisë së Elbasanit, janë shoqëruar edhe dy persona të tjerë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, por për arsye hetimi nuk bëhen të ditur momentalisht emrat e tyre.

Në lidhje me këtë vepër penale, po punohet intensivisht për dokumentimin e plotë të saj, ndërsa materialet iu kaluan prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.

n.e/NOA

KOMENTE