English

Meta: Rama ka frymëzime kaotiko-anarkiste

Tiranë, 19 shkurt, NOA - "Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama nuk po bashkëpunon me Presidentin dhe faktorin ndërkombëtar për zgjidhjen e situatës politike".

Akuza erdhi nga Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, i cili u shpreh sot se në vend të bashkëpunimit, Rama ka zgjedhur të ndjekë rrugë dhe qëllime anarkiste.

Në një prononcim për mediat, Meta theksoi se hapja e kutive, që kërkohet me ngulm nga kryetari i PS-së, Edi Rama nuk është realizuar në asnjë prej vendeve të Bashkimit Europian.

Për pasojë, kreu i diplomacisë shqiptare ka theksuar se është e pamundur që mazhoranca të shkel vendimet e gjykatave, duke rikonfirmuar dhe një herë qëndrimin e tij për këtë çështje.

Meta vlerësoi se zgjidhja e situatës politike duhet të bëhet në baze të rekomandimeve të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Ai gjithashtu vlerësoi si mjaft pozitive deklaratën e fundit të presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Joao Soars.

Sipas Metës, qëndrimi i OSBE-së nuk i dha të drejtë PS-së. Ndërsa duke ju kthyer dhe një herë qëndrimit të kreut të PS-së, Edi Rama, Meta theksoi se me qëndrimet e tij, kreu i PS po sfidon ndërkombëtarët.

m.xh/NOA

KOMENTE