Tiranë, 19 shkurt, NOA Blerina Ahmetaj - Minatorët kundërshtojnë vendosjen e 20 shkurtit si dita simbol kundër diktaturës, pasi sipas tyre Shqipëria ka probleme shumë të mëdha ekonomike për të cilat duhet protestuar.
Sindikata e minatorëve të Shqipërisë do të zhvillojë një protestë para kryeministrisë kundër standardit të ulët ekonomik në vend, që vjen nga rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve të përditshme.Përveç kësaj, minatorët deklaruan sot se një pikë e kërkesës së tyre është dhe statusi i pamiratuar i minatorit për të cilën nuk ka asnjë kompromis me qeverinë.
"Të drejtat tona për ekuilibra ekonomikë dhe mbijetesë në minimumin e standardeve kanë vetëm një çmim fillestar, realizimin e kërkesave që i kemi paraqitur qeverisë. Ndryshe nuk ka tërheqje mbrapsht dhe ne po protestojmë vendosmërisht para kryeministrisë deri në plotësimin e kërkesave", tha kryetari i sindikatës, Fiqiri Xibri.
Vendimi për protestën masive të 20 shkurtit u mor një javë më parë në mbledhjen e
Këshillit të bashkëpunimit sindikal.
Ky grupim i bën thirrje shoqërisë civile t'i bashkohet kësaj proteste kundër çdo lloj arbitrariteti dhe diskriminimi, kundër çdo lloj imponimi dhe forme të shfaqur të diktaturës sot 20 vjet pas shembjes së saj.
b.a/NOA