Tiranë, 19 shkurt, NOA - Ngjarjet e ditëve të fundit kanë detyruar Policinë e Shtetit që të shtojë masat e sigurisë për bankat.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, gjatë një takimi me Përfaqësuesit Administrativ dhe Drejtuesit Teknik të Shoqërive të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike ka kërkuar marrjen e më shumë masave për sigurinë e Bankave.
Në vendimet e marrë në këtë takimi është rënë dakord që veç ndryshimeve në ligjin përkatës të shtohet numri i armeve që mbanë personeli sigurisë në banka dhe të bëhet një zgjedhje më e mirë e rojeve të sigurisë.
Vendimi i parë ka të bëjë me ndryshime në Ligjin Nr.8770 datë 19.04.2001 "Për Shërbimin e Ruajtjes dhe të Sigurisë Fizike".
Gjithashtu, shërbimet e Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike, si dhe Policia e Tiranës duhet të marrin me shumë masa organizative, operacionale e teknologjike, me qëllim rritjen e masave të sigurisë në banka.
Pika e tretë e vendimit ka të bëjë me përzgjedhjen e personelit të shërbimit të ruajtjes dhe sigurisë, po kështu edhe atij të sigurimit të brendshëm të bankave.
Ndër të tjera u ra dakord që të zgjidhen dhe problemet që kanë të bëjnë me llojin dhe administrimin e armëve nga ana e personelit që shërben, për sigurimin e bankave.
"Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, u shpreh angazhimi për mbështetjen e Shërbimit të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike, si dhe për trajnimin e personelit të sigurisë që shërben në sigurimin e bankave të nivelit të dytë. Nnga strukturat e Policisë së Tiranës, janë marrë masa dhe përcaktuar detyra konkrete për mbajtjen nën kontroll të bankave dhe filialeve të tyre, që ushtrojnë aktivitet në juridiksionin e qarkut Tiranë", thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.
m.xh/NOA