Dubai, 19 Shkurt NOA - Britania dhe Irlanda po zhvillojnë hetime lidhur me dyshimet se si u përdorën pasaportat false britanike dhe irlandeze, gjatë vrasjes së komandantit të Hamasit në Dubai. Ka spekulime se agjencia izraelite e spiunimit, Mosad, ka dorë në vrasjen e pjesëtarit të Hamasit në Dubai, Mahmud al-Mabhuh, muajin e kaluar.
Policia në Dubai këtë javë publikoi emrat, fotot dhe numrat e pasaportave të 11 personave, të cilët kishin pasaporta evropiane, e që dyshohen për vrasjen e pjesëtarit të Hamasit, Al Mabu, në janar, në një hotel luksoz në Dubai.
Këtë grup tashmë të dyshuar, e përbëjnë gjashtë persona që kishin pasaporta britanike, tre irlandezë, përfshirë dhe një grua, një gjerman dhe një francez. Të paktën shtatë prej tyre përkojnë me persona real në Izrael, të cilët thonë se janë viktima të vjedhjes së identitetit të tyre. Emrat e meshkujve që janë në pasaportat britanike, kanë kombësi të dyfishtë, edhe britanike, edhe izraelite. Të gjithë ata hodhën poshtë faktin se janë të përfshirë në vrasje. Njëri prej tyre, Stefen Houds, pohoi në një televizion izraelit, se ishte i frikësuar për jetën e tij. "Jam thjesht i tronditur, përderisa nuk e di se çfarë po ndodh. Jam krejt i shokuar. Nuk e di se si më implikuan mua. Nuk e kam idenë se si i morën të dhënat e mia dhe kush i mori". "Unë nuk jam larguar nga vendi për dy vjet dhe kurrë nuk kam qenë në Dubai. Nuk e di se kush është pas kësaj. Thjesht, jam i tmerruar. Pas kësaj fshihen forca të mëdha", tha Stefen Houds. Kryeministri i Britanisë, Gordon Braun, urdhëroi një hetim rreth pasaportave, për të cilat autoritetet britanike thanë se janë false. Agjencia Kundër Krimit të Organizuar konfirmoi se fotografitë dhe firmat në pasaportat e përdorura në Dubai, nuk përputhen me ato që janë lëshuar në Britani. Ndërsa, ministri i Jashtëm irlandez, Mishel Martin, tha se pasaportat e tre irlandezëve rezultojnë me numra të vlefshëm, por janë lëshuar për njerëz me emra krejt të ndryshëm nga ata që janë publikuar në Dubai. Më tej ai shtoi se Departamenti i punëve të jashtme po bën përpjekje për të zbuluar nëse pasaportat janë vjedhur, apo kanë humbur. Me gjetjen e emrave dhe të fotove nga ana e policisë së Dubait, të grupit që supozohet të ketë kryer krimin, shenjat e gishtërinjve u vunë për përdorim agjencisë së spiunazhit në Izrael, Mosad, dhe agjentëve të saj. Një koment i ministrit të Jashtëm izraelit vetëm sa e shtoi misterin rreth kësaj ngjarjeje që i ngjan novelës së spiunazhit. Në komentin e parë zyrtar të bërë nga Izraeli për këtë çështje, Avigdor Liberman tha se, "Izraeli kurrë nuk jep përgjigje, kurrë nuk konfirmon dhe kurrë nuk kundërshton". Ai më pas shtoi, "Unë nuk e di pse ne vlerësojmë se Izraeli ose Mosadi i ka përdorur këto pasaporta?". Gazeta e Emirateve të Bashkuara Arabe, "Al Bayan", publikoi një citim të shefit të Policisë së Dubait, Dahi Khalfan. Ai insistoi se pasaportat evropiane të përdorura nga ky grup i akuzuar për vrasjen e Al Mabhuhit, nuk janë false. Gjithashtu, Kalfan i përshkroi vrasësit e dyshuar si "budallenj" për faktin se lëvizjet e tyre janë filmuar hap pas hapi nga kamerat e sigurisë në hotel. Vrasësit e dyshuar arritën më 19 janar në Dubai, një ditë pasi Al Mabhuh, i cili jetonte në Damask të Sirisë, arriti në Dubai. Ata u larguan nga Emiratet e Bashkuara Arabe më 20 janar, ditën kur militanti u gjet i vdekur. Nga ana e tij, Hamasi tha se nuk ka dyshime se kush duhet të fajësohet. Në një tubim në Gaza, rreth 3,000 përkrahës të grupit militant derisa shkatërronin flamujt izraelitë, kërkonin hakmarrje. Një zëdhënës i grupit Islamitk, Abu Ubaida, i cituar nga radio Evropa e Lirë, i tha turmës: "Ne jemi këtu për t'i treguar armikut tonë se kush e bëri këtë krim dhe se hakmarrja do të vijë". Mosad më përpara ishte akuzuar për vjedhjet e identitetit. Në vitin 2004, Zelanda e Re zbatoi sanksione diplomatike kundër Izraelit dhe pezulloi kontaktet në nivel të lartë mes dy vendeve, pas dënimit të dy shtetasve izraelitë për vjedhje të pasaportave Okland.