Tiranë, 19 shkurt, NOA - Numri i qytetarëve që kanë marrë pasaporta të sigurisë së lartë ka arritur në gjysëm milionë. Ministria e Brendshme ka informuar sot se deri ditën e djeshme, numri i aplikimeve për pasaporta biometrike arriti shifrën 501 mijë.
Ministria e Brendshme kujton qytetarët se marrja e pasaportës së re biometrike "do të shoqërohet me bërjen të pavlefshme të pasaportës në përdorim nga shtetasi në momentin e paraqitjes pranë zyrave të "Aleat" në komisariatet dhe drejtoritë e policisë në qarqe".
Nga ana tjetër ministria fton gjithë qytetarët të vendit që të ndjekin shembullin e 501 mijë personave për të tu pajisur të gjithë me dokumente të nivelit të lartë të sigurisë.
"Duke shprehur kënaqësinë për ritmin e shpejtë dhe suksesin e këtij procesi, Ministria e Brendshme gjen rastin të përgëzojë të gjithë qytetarët që i janë përgjigjur thirrjes për t'u pajisur me pasaporta biometrike, këtë dokument të standardeve evropiane", thuhet në deklaratën e ministrisë së Brendshme.
m.xh/NOA