Shkup, 19 shkurt, NOA - Arkitekti maqedonas, Miroslav Grcev dorëzoi sot para Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, kërkesën për anulimin e projektit "Shkupi 2014". Ky projekt i inicuar nga Komuna Qendër dhe ministria e Kulturës, vazhdon të nxisë reagime të cilat nxisin tensione dhe çështje të hapura etnike e fetare. Për këtë çështje, deri tani janë mbajtur disa tribuna, në të cilat shumica e përfaqësuesve të OJQ-ve, analistët janë shprehur kundër.
Ndërsa sot arkitekti maqedonas, Miroslav Grcev dorëzoi para Gjykatës Kushtetues të Maqedonisë, kërkesën për anulimin e këtij projekti.
Sipas Grcev, nisma e tij për anulimin e këtij projekti qeveritar dhe komunal në Shkup u bë për shkak se plani për dukjen e re të kryeqendrës është bërë duke u bazuar në rregulla joekzistente ligjore dhe duke mos i respektuar procedurat ligjore.
"Procedura e shkurtuar e miratimit të këtij projekti nuk ekziston në legjislacionin tonë. Procedura e shkurtuar për miratimin e planeve urbanistike ishte shlyer nga ligji në qershor të vitit 2009. Qeveria në këtë rast gaboi pikërisht në procedurat që ajo vetë i krijoi", sqaroi arkitekti Grcev.
NOA-INA