Uashington, 19 Shkurt NOA - Mund të konsiderohet shteti më i fuqishëm në botë, por ndryshe nga pamja dhe nga fantazitë pa fund të Hollivudit, SHBA është mesa duket dhe borxhli më i madh në botë.
Plot 800 miliardë dollarë arrin borxhi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë Kinës, raportoi në numrin e saj të fundit, e përditshmja britanike "The Guardian".
"Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina aktualisht ndodhen brenda një përqafimi të çuditshëm ekonomik, marrë parasysh faktin se borxhi i SHBA ndaj shtetit me popullsi më të madhe në botë, shkon në 800 miliardë dollarë", raporton gazeta londineze "The Guardian".
Ajo konstaton se Kina është bërë një faktor i rëndësishëm ekonomik në rrafshin global. Dhe shton: "Kina fitimin e saj nga prodhimet e lira që i plason nëpër tregjet e huaja e shfrytëzon për blerjen e letrave me vlerë, në shumë shtete të zhvilluara botërore. Prioritet, natyrisht, kanë letrat shtetërore amerikane me vlerë".
Ndërsa më tej, gazeta vlerëson se "Kina tani qëndron e ulur mbi një grumbull të tërë letrash me vlerë, një gjë kjo shqetësuese, duke marrë parasysh deficitin e madh amerikan". "Nga ana tjetër, Kina nuk mund të lirohet brenda natës nga letrat e saj me vlerë, meqenëse kjo gjë do ta lëkundte seriozisht stabilitetin e dollarit amerikan, gjë që, veç tjerash, do t'i shkaktonte dëm të madh edhe vetë ekonomisë kineze", - shkruan gjithashtu "The Guardian.
Ndërsa në përfundim të raportit analizë, e përditshmja angleze "The Guardian" shkruan qartazi: "Nëse një banke i keni borxh 100 dollarë, ky është problemi juaj, por nëse i keni borxh 100 milionë euro, atëherë ky tashmë bëhet edhe problem i saj. Ndërsa SHBA i kanë borxh Kinës, plot 800 miliardë dollarë".
e.r/NOA