Tiranë, 19 shkurt, NOA - Fondacioni Soros, në prani të përfaqësuesve të ministrisë së Arsimit, Bordit të vlerësimit të Teksteve, Drejtorive Arsimore, Shtëpive Botuese të Librit Shkollor, autorëve të teksteve, drejtorëve të shkollave dhe kryetarëve të komisioneve lëndore, zhvilloi tryezën e përbashkët "Përmirësimi i reformës së Altertekstit". Kjo tryezë bëhet me dijeni se përqendrua në çështje të rëndësishme si prezantimi i reformës së Altertekstit, politikat dhe procedurat, zbatimi dhe monitorimi i procesit dhe ndryshimet e reflektuara në udhëzimin i ri.
Ka qenë këshilltari i ministrit të Arsimit, Jovan Kristiqi, i cili foli në takim për ndryshimet që janë bërë në reformën e teksteve shkollore.
Sipas tij, në ndryshim nga vitet e shkuara, në këtë reformë ka më shumë kohë për autorët e teskteve dhe për vlerësuesit e tyre, janë përcaktuar rregulla më të qarta për komisionet vlerësuese, janë shtuar filtrat dhe kontrolli për mënjanimin e teksteve të dobëta, ndërsa ka një politikë të veçantë për shpërndarjen e librave mësimorë, për tekstet e emigrantëve dhe minoriteteve, çka këto të fundit do të financohen njëqind për qind nga MASH.
Ndërsa, Dritan Nelaj, përfaqësues i fondacionit Soros, tha ndër të tjera se arsyeja e tryezës është rritja e transparencës dhe e bashkëpërgjegjësisë të të gjithë aktorëve të përfshirë në procesin e realizimi të Altertekstit.
Duke marrë për bazë edhe paketën informuese të MASH-it, "Alterteks 2010-2011", pjesëmarrësit në tryezë vlerësuar vullnetin e ministrisë për të bërë ndryshime me qëllimin final për tekste sa më cilësore, por tërhoqën vëmendjen edhe për disa probleme që do të sillte zbatimi i saj në praktikë.
Disa botues si Evis Themeli, Rita Petro, Anila Bisha thanë se ata ishin ndjerë jashtë këtij procesi dhe nuk ishin marrë në konsideratë shqetësimet e tyre.
Ndërsa të tjerë të pranishëm si autorë tekstesh si Dhurata Shehri, Dhimitër Doka, Mimoza Gjokutaj, Petrit Bërhami kontestuan mosdemokratizimin e programit, kohën e paktë që jepet për vlerësimin e teksteve dhe mos marrjen parasysh të shqetësimeve të tyre.
n.e/NOA