English

Timoshenko, në gjykatë për manipulimet

Kiev, 19 shkurt, NOA - Gjykata më e lartë e Ukrainës do të dëgjojë sot në një seancë të posaçme pretendimet e kryeministres Julia Timoshenko për manipulime në zgjedhjet e fundit presidenciale, ku ajo i humbi ato para rivalit Viktor Janukoviç. Ky i fundit u shpall fitues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Ukrainës me një epërsi prej 3.5% të votave. Zyrtarët e zgjedhjeve nga ana e tyre thonë se do të refuzojnë të marrin në konsideratë këto kundërshtime të Timoshenkos, lidhur me rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të javës së kaluar.

Në të tilla kushte, duket se askush nuk do të merret me shqyrtimin e ankesave të Timoshenkos, duke e lënë rezultatin kështu siç është dhe vetë KQZ ka pohuar se nuk do t'i analizojë këto akuza.

Timoshenko nga ana e saj, në daljet e fundit në publik është treguar mëse e bindur se zgjedhjet ishin të manipuluara dhe se do ta sfidojë rezultatin zgjedhor në gjykatë, për mëse 1 milionë vota të falsifikuara, të cilat sipas saj, mjaftojnë për të ndryshuar rezultatin aktual.

Ndërsa vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve duket se as ata e mbështesin Timoshenkon në akuzat e saj ndaj rivalit që tashmë u bë presidenti i ri i vendit.

n.e/NOA

KOMENTE