English

Vidhen 2 laptopë në zyrat e Lëvizjes G99

Tiranë, 19 shkurt, NOA - Zyrat e Lëvizjes G99 në Tiranë, janë vjedhur dhe bastisur ditën e sotme nga persona ende të paidentifikuar.

Lajmi është konfirmuar për mediat nga vetë kreu i kësaj force politike, Erjon Veliaj, i cili ka denoncuar aktin e vjedhjes pranë organeve kompetente të policisë.

Ngjarja ka ndodhur pak më parë dhe menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë.

Nuk bëhen ende të ditura motive e ngjarjes, ndërkohë që grupi hetimor është vënë në lëvizje për ta zbardhur atë, duke mbledhur të gjithë elementët e nevojshëm si dhe duke marrë në pyetje vetë përfaqësuesit e Lëvizjes G99.

Kjo është hera e dytë brenda pak kohësh që në Tiranë bastiset një zyrë dhe prej saj vidhen kompjutera.

Kujtojmë këtu, rastin e vjedhjes së një kompjuteri nga mjediset e ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, i cili më pas u bë i mundur të gjendet bashkë me autorin e vjedhjes, pas një hetimi të mirëorganizuar nga forcat e policisë.

n.e/NOA

KOMENTE