English

Austria: Shqipëria po bën para me reformat

Vjenë, 20 shkurt, NOA - Gjatë ndalesës në Vjenë, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u prit në parlamentin austriak nga kryeparlamentarja Barbara Prammer. Duke shprehur kënaqësinë për takimin, Prammer vlerësoi se Shqipëria ka bërë progres të madh dhe po hedh hapa të tjerë te rëndësishëm në rrugën e reformave dhe integrimit të saj. Ndërkaq, Topalli shprehu mirënjohje për ndihmën dhe mbështetjen që vendi mik Austria vazhdon t'i japë Shqipërisë në proceset e saj integruese. Ajo theksoi se Shqipëria ka përpara një vit tejet të rëndësishëm për të ardhmen europiane të vendit.

"Po punohet intensivisht për përmbushjen e detyrimeve të fundit për liberalizimin e vizave. Ndërkohë të gjitha institucionet dhe agjencitë e vendit janë të angazhuara në plotësimin e Pyetësorit të dërguar nga BE, proces ku është kryer tashmë përgjigja e më shumë se 95 përqind e pyetjeve", tha ajo.

Ndërkaq, të dyja homologet vlerësuan se takime të tilla shërbejnë si shtysa në bashkëpunimin midis dy parlamenteve, por edhe në kuadër të IPU-së.

Si anëtare të Komitetit përgatitor për mbledhjen e kryeparlamentarëve të të gjithë botës, që zhvillohet një herë në pesë vjet dhe që do të mbahet në verë të këtij viti, ato u ndalën në temat kyçe në focus të kësaj mbledhje. Vëmendje iu kushtua edhe takimit të ardhshëm të kryeparlamentareve gra që do të zhvillohet gjatë këtij viti në Bernë të Zvicrës.

n.e/NOA

KOMENTE