Tiranë, 20 shkurt, NOA - As kryeministri Sali Berisha dhe as zv/kryeministri Ilir Meta, nuk do të mund të ndalojnë dot hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Një fakt të tillë e ka bërë me dije deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Baraj, gjatë një deklarate për shtyp, sipas të cilit "hapja e kutive nukështë kërkesë, po një e drejtë".
"Dhe këtë të drejtë do e fitojë populli, nëse atij do t'ia mohojë kryeministri Berisha", tha më pas deputeti i selisë rozë.
"Ilirët e Saliut nuk e pengojnë dot hapjen e kutive ku fshihet edhe e vërteta e mandatit të Ilirit në Tiranë, madje edhe në Fier e në Berat", shtoi ai, duke hedhur akuza direkte ndaj mandatit të deputetit Ilir Meta.
Në këtë mënyrë, deputeti socialist ka rikonfirmuar edhe njëherë qëndrimin e selisë rozë, sipas të cilës hapja e kutive dhe transparenca e 28 qershorit, tashmë është një kërkesë e panegociueshme e saj, të cilës do t'i shkojë deri në fund.
n.e/NOA