English

BE: Nuk ia falim më Gruevskit

Shkup, 20 shkurt, NOA - Djersët e komisionerit evropian për Zgjerim, Stefan Fule dhe mimikat e "zgërdhirjes" e kryeministrit Nikolla Gruevski në pritjen me gazetarët në ambientet e qeverisë treguan pasqyrën e qartë rreth qasjeve për çështjen e zgjidhjes së kontestit të emrit. Fule ka tërhequr vëmendjen se afati përfundimtar për zgjidhjen e kontestit të emrit është muaji qershor dhe se sipas tij, Bashkimi Evropian (BE) nuk ka plan rezervë në rast se deri në atë afat nuk arrihet zgjidhja e këtij kontesti.

"Tanimë është momenti për gjetjen e zgjidhjes së emrit dhe nuk ka kohë për të humbur. Fuqimisht jam i përkushtuar në ardhmërinë evropiane të Maqedonisë. Zgjerimi është një nga politikat afatgjate të BE-së dhe jam i bindur se ky është edhe çelësi i ardhmërisë së vendeve të rajonit", ka theksuar Fule, duke shtuar se rekomandimi i KE-së për caktimin e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim duhet të kuptohet edhe si nxitje e fuqishme që përfundimisht të zgjidhjet çështja e emrit. Sipas tij, tani ekziston një mundësi unikale për të gjetur zgjidhje për emrin dhe kjo duhet të shfrytëzohet.

Komisioneri evropian për Zgjerimin, Fule nuk ka lënë pa përmendur faktin se moszgjidhja e shpejtë e kontestit të emrit mund të shkaktojë implikime rajonale dhe jo vetëm në raportet midis dy vendeve fqinje, që janë të përfshira në procesin e emrit.

Ndërkohë, në takimet kokë më kokë, siç mëson agjencia e lajmeve INA delegacioni i lartë i KE-së i ka shprehur shqetësimet edhe për mundësinë e tensionimit të situatës së brendshme në relacionet ndëretnike, mospërmbylljen e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe detyrimet e tjera në planin e reformave institucionale.

Nga ana tjetër, kryeministri Nikolla Gruevski përveç optimizmit të shprehur nga mbështetja e BE-së për Maqedoninë, ka shkaktuar skandalin e radhës, duke përgënjeshtruar eurodeputetin gjerman Jorgos Shacimarkakis, i cili në cilësinë e raportuesit të Parlamentit Evropian për Maqedoninë, kishte pohuar dy herë radhazi se kishte dëgjuar nga kryeministri Nikolla Gruevski një propozim konkret për kontestin e emrit. "Ka një propozim dhe unë jam i lumtur për këtë. Nuk më takon mua t'jua them. Kjo është në kompetencën e tij. Unë mendoj se tek ai ka një interesim të mirë ndaj çështjes, ndërsa përmbajtja është një tjetër çështje", theksoi dje Shacimarkakis, bashkëkryesues i Komitetit të Përbashkët Maqedoni-BE, i cili menjëherë u përgënjeshtrua nga ana e kryeministrit Gruevski. Ai para gazetarëve u përqendrua në këtë pikë duke mohuar deklaratën e emisarit evropian se ka ofruar propozim konkret në takimet me delegacionin e lartë të Parlamentit Evropian.

Gruevski është shprehur optimist në përkushtimin e Spanjës si udhëheqëse me presidencën e BE-së, për vazhdimin e procesit të zgjerimit.

Eurokomisioneri për zgjerim dhe delegacioni i Parlamentit Evropian në takimet e tyre të ndara kanë shprehur në mënyrë të qartë të gjitha pikat e dobëta me të cilët po ballafaqohet Shkupi zyrtar, si në planin e politikës së brendshme, por edhe ate fqinjësore. Ata gjatë tërë takimeve kanë qenë të shoqëruar nga ambasadori evropian në Shkup, Ervan Fuere, i cili nuk ka dashur të deklarohet lidhur me vazhdën e kësaj agjende të zgjeruar evropiane. Ofensiva diplomatike amerikano-evropiane me zbarkimin në Shkup të evroparlamentarëve, senatorëve e kongresmenëve amerikan ishin sinjale dhe presione të fuqishme që gjatë dy ditëve të fundit janë shfaqur në mënyrë të prerë në adresë të krerëve shtetëror, gjegjësisht kryeministrit Nikolla Gruevski. Agjenda e hartuar parashikon që ditëve në vijim të realizohet takimi i radhës midis dy kryeministrave, Nikolla Gruevski dhe Jorgos Papandreu, për ti dhënë shtytje dhe një faqe të re konkrete, procesit të negociatave për emrin. Ndërkohë, paralelisht me këtë në Shkup do të mbërrijë këto ditë edhe ndërmjetësi i OKB-së për kontestin e emrit, Metju Nimic. Bashkimi Evropian ka bërë të qartë këto ditë se zgjidhja e emrit duhet të kërkohet nëpërmjet procesit të negociatave që udhëhiqet nga OKB-ja dhe se nuk planifikohet ndonjë nismë apo ndërmjetës i kyçur nga ana e Brukselit. Delegacioni i lartë i KE-së ka vizituar edhe krerët e tjerë shtetëror si presidentin Gjorgje Ivanov, shefin e diplomacisë, Antonio Milloshoski, kryeparlamentarin Trajko Veljanovski , krerët e LSDM-së dhe BDI-së, Branko Cërvenkovski dhe Ali Ahmeti si dhe përfaqësuesit e partive parlamentare në kuadër të komitetit të përzier Maqedoni-BE, duke përjashtuar PDSH-në.

Gruevski nuk del ta presë euro-komisionerin për zgjerim

Zyrtarët e BE-së në Shkup janë shfaqur të irituar edhe rreth protokollit të pritjes së evrokomisionerit për zgjerim Shtefan Fule në Qeverinë e Maqedonisë. Informacione e delegacionit të BE-së flasin se iritimi ka ndodhur kur në ambientet e jashtme të pritjes së evrokomisionerit Fule ishte paraqitur zëvendëskryeministri për evrointegrime, Vasko Naumovski dhe jo kryeministri Nikolla Gruevski. "Kjo gjë ka shfaqur doza nervozizmi sidomos tek ambasadori Fuere, i cili nuk ishte i rehatshëm rreth këtij veprimi", kanë theksuar burime pranë delegacionit evropian. Në Qeveri nuk kanë dashur të japin komente për gjëra të tilla, duke theksuar se takimet dhe agjenda është zhvilluar në një atmosferë të ngrohtë dhe tejet efektive.

Ahmeti: I mora mesazhet

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka theksuar se ka marrë porosi të qarta nga përfaqësuesit evropianë se duhet zgjidhur shumë shpejt problemin me emrin dhe se për këtë çështje duhet të përkushtohen njëjtë si mazhoranca ashtu edhe opozita. Ahmeti theksoi se BDI do të luajë konstruktiv për afrimin e vendit drejt strukturave të BE-së dhe NATO-s dhe se do të ofrojë ndihmë për tejkalimin e kontestit të emrin me Greqinë. "Sigurova komesarin për zgjerim që ne do të punojmë dhe angazhohemi në të ardhmen në drejtim të implementimit të ligjeve, standardeve që ne na ofrojnë sa më afër BE-së, sigurova komesarin për zgjerim që edhe më tej do të angazhohemi dhe do punojmë në drejtim të krijimit të klimës sa më të mirë që vendi të ketë paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm dhe sa më afër të jemi anëtarësimit në BE dhe NATO", ka deklaruar Ahmeti.

NOA-INA

KOMENTE