English

Julia Roberts, lot dhe magji

"Pretty Woman" feston njëzetvjetorin. E regjisori Garry Mareshal tash feston po ashtu edhe kampionin e fundit të arkëtimeve, takim me të dashurën, komedi romantike. Shumë dyzetvjeçarë të sotëm do ta kenë zor të besojnë: kanë kaluar tashmë njëzet vite që kur Pretty Woman doli nëpër salla. Po ikte vitit 1990 e filmi, me regjinë e Garry Marshall, u bë menjëherë bukur më shumë se një film.

Nga Claudia Morgoglione

Shumë dyzetvjeçarë të sotëm do ta kenë zor të besojnë: kanë kaluar tashmë njëzet vite që kur Pretty Woman doli nëpër salla. Po ikte vitit 1990 e filmi, me regjinë e Garry Marshall, u bë menjëherë bukur më shumë se një film. Një fenomen i zakonit, një modë, një mani globale. Një Exploit që ka rezistuar në kohë, në një lloj të rinisë së përjetshme. Aq sa, në Itali për shembull, edhe pas emetimit të njëqindtë në televizion, vazhdon ta ketë vëmendjen e miliona spektatorëve. Garry Marshall megjithatë as që e dinte këtë gjë. Regjisor i shumë komedive kinematografike (Pretty Princess, Nëse ikën, të martoj), producent i serive televizive cult (Happy days, Laverne & Shirley, Mork & Mindy), talent i madh scout i yjeve femërore, duke filluar nga Julia Roberts, prostitutë-Hirushe në veprën e tij më të njohur. Por Marshall është tash në Romë për ta prezantuar realizmin e tij më të ri romantik: Takim me të dashurin, histori nga Los Angelosi që kryqëzohen në ditën e Shën Valentinit, interpretuar nga një cast all star që përfshin Jessica Alba-n, Jessica Biel-in, Ashton Kutcher-in, Jennifer Garner-in, Patrick Dempsey-n, Jamie Foxx-in, dhe ikonën e përjetshme Julia Roberts. Në ShBA, në vikendin e tij të parë, filmi ka bërë bum, duke arkëtuar gati 53 milionë dollarë. Zoti Marshall, a ekziston formula e komedisë perfekte romantike? "Jo, s'ma merr mendja të ketë farë sekreti. Njëri nga faktorët esencial është castingu, zgjedhja e aktorëve. Dhe historia: nuk mjafton t'i bësh publikun të qeshin apo buzëqeshin, duhen edhe ca lot. Trishtimi ose gëzimi". Një nga meritat e juaja është se keni zbuluar talente të mëdha femërore, si Julia Roberts apo së voni, në Little Princess, Anne Hothaway. Çfarë kanë të përbashkët? "Duhet të them se kam një dobësi për femrat me gojën dhe dhëmbët paksa jashtë, më duken sexy: shikoje Brigitte Bardot. Por duhet para se gjithash diçka e padefinueshme dhe e pakapshme, një lloj magjie. Nëse i shikon në sy femrat qoftë edhe shumë të bukura nuk sheh asgjë, nëse e shikon njërën si Julia Roberts apo Anne Hathaway në ata sy gjen gjithçka. Të mos harrojmë se ekrani kinematografik është shumë i madh, e kësisoj duhet të gjesh diçka që edhe aty duket bigger than life". Siç ndodhi, saktësisht njëzet vite më parë, me Julia Roberts. "Po pra. Por në fillim s'e kuptonim këtë: dukej një vajzë, si të themi, normale. Vetëm pas disa javë punimesh e kuptuam se kishim në duar një personazh përnjëmend të veçantë. Një që mbushte ekranin, e ndriçonte. Aq sa në një moment të caktuar Richard Gere erdhi tek unë dhe më tha: ‘Shiko, kështu si po shkojnë punët, unë s'të hyj në punë për asgjë, ajo është aq e zonja sa që për të pasur sukses mjafton dhe tepron. Çdokush do të mund t'i vishte rrobat e mia të skenës, do të ishte e njëjta gjë'". Për ju, si edhe për publikun e gjysmës së botës, Pretty Woman nuk është vetëm një film i suksesit... "Derisa e xhironim, nuk mendonim se ishim duke realizuar një exploit dimensionesh kaq të pabesueshme. E di se në një fshat të humbur indian qe programuar për një vit të tërë. Ndoshta ngase gjuha e tij është universale: prostituta është një figurë që ekziston praktikisht kudo. Në karrierën time, pastaj, ka qenë i rëndësishëm ngase e ka sqaruar definitivisht filozofinë time kinematografike: të dashurohesh është diçka që iu përket të gjithëve, njerëzit i duan historitë e dashurisë gjithmonë, në kohërat e mirë si edhe në kohërat e errëta. E edhe sot kur shkruajnë për mua, nuk shkruajnë emrin dhe mbiemrin tim, por 'regjisori i Pretty Woman'; ama mua ma ka ëndja kështu". E si ka qenë ta rigjesh pas njëzet vitesh Roberts-in në setin e Takim me të dashurën? "Në kohën e filmit të parë që e kemi xhiruar bashkë, ishte një vajzë, i mbushi njëzetenjë vite gjatë punimeve. Tash është një yll, por është përherë një femër e zonja, e thjeshtë. Njihemi prej shumë kohësh, i njoh fëmijët e saj, kuptohemi shumë lehtë e shpejtë". Na flisni atëherë për filmin e ri. "Janë histori dashurie që gërshetohen në ditën e Shën Valentinit, ka shumë lloje të dashurisë. Pa dashuri, bota do të ishte deprimuese! Këtë femrat e kuptojnë zakonisht më mirë, por është një gjë që ka të bëjë edhe me meshkujt". Projekte të reja, keni? "Ma kanë propozuar një film të gjinisë së njëjtë, New Year's Eve, ambientuar në natën e Vitit të Ri: ende s'e kam lexuar skenarin, por jam i interesuar. Mbase do ta bëj edhe një version kinematografik të Laverne & Shirley: është diçka e lindur në setin e Takim me të dashurën. Derisa xhiroja një skenë me Jennifer Garner dhe Jessica Biel, Jamie Foxx u përvidh dhe tha 'ehi, duket një sekuencë e Laverne & Shirley, pse të mos e bëjmë përsëri me këto dyja?'. Kështu që tash jemi duke e diskutuar këtë punë".

(*) "La Repubblica"

KOMENTE