English

Me Egjiptin, projekte për kancerin e gjirit

Kajro, 20 shkurt, NOA - Vizionin dhe angazhimin e përbashkët për rritjen dhe forcimin e rolit të gruas në shoqëri, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e ndau edhe në një takim të veçantë që i rezervoi zonja e parë e Egjiptit, Suzanne Mubarak. Duke shprehur keqardhjen për qëndrimin e shkurtër të Topallit në Kajro, Mubarak e ftoi kryetaren e Kuvendit për një vizitë tjetër në Egjipt në një kohë sa më të shpejtë, në mënyrë që të dyja të hartojnë një plan të përbashkët me projekte konkrete, veçanërisht në luftën kundër kancerit të gjirit.

Ajo i tregoi Topallit për ngritjen e disa klinikave lëvizëse, që mundësojnë analizën e mamografisë për gratë në rajone të varfra të Egjiptit.

Nga ana e saj, kryeparlamentarja shqiptare tha se të njëjtën gjë ka bërë muaj më parë edhe ajo në disa qytete dhe fshatra të Shqipërisë, për të ndërgjegjësuar gratë se kujdesi për shëndetin e tyre është më e mira që ato mund të bëjnë, në radhë të parë për vete dhe fëmijët, si dhe për shoqërinë. Për këtë, ajo e njohu zonjën Mubarak me vendimin e komisionit parlamentar të Shëndetësisë për të vendosur një fond shtesë në buxhet, me qëllim pajisjen e qendrave shëndetësore me aparatin e mamografisë për ekzaminimin e kancerit të gjirit.

n.e/NOA

KOMENTE