English

Policia flet mbi qytetarin që vrau

Tiranë, 20 Shkurt NOA - Policia thotë se qytetari që vranë patrullat e Komisariatit nr 5, ishte i armatosur dhje së bashku me persona të tjerë, hapën zjarr me armë ndaj uniformave blu që dëshironin të kryenin një kontroll rutinë.

Ngjarja ndodhi sot rreth orës 00.30, në Kamëz. Sipas hetimit që evidenton policia, Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr.5 Tiranë, duke patrulluar në zonën pranë shkollës "Agrobiznes", në momentin që i kanë bërë shenjë për të ndaluar dhe për t'iu nënshtruar një kontrolli rutinë, personat brenda në automjetin tip "Benz" me targë TR3854 G, nuk kanë ndaluar.

"Nga Patrullat e Policisë, personave në automjet u është bërë thirrje me sinjal zanor, fenelinë por pasi kanë ndaluar mjetin janë larguar menjëherë me vrap. Thirrjes së policisë "Ndal Policia", një prej personave i armatosur, në moment i është përgjigjur me zjarr, duke qëlluar me armë në drejtim të Patrullës së Përgjithshme të Policisë", - thotë Policia e Tiranës.

Të ndodhur përpara këtij sulmi, - vazhdon qëndrimi zyrtar policor, edhe Patrulla e Policisë i është përgjigjur zjarrit të armës duke qëlluar në ajër.

Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, në vendin e ngjarjes është gjetur i pajetë shtetasi Ahmet Bardhoshi, 32 vjeç, person me preçedentë të mëparshëm penalë, i cili mbante të veshur një xhup ushtarak, në duar mbante doreza, si dhe një palë pinca të fshehura në trup.

Grupi i posaçëm hetimor, kreu të gjitha veprimet e para hetimore e proçeduriale në vendin e ngjarjes, duke administruar të gjitha provat, të cilat do të shërbejnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se, automjeti me të cilin udhëtonin këta shtetas ishte i vjedhur në zonën e Paskuqanit në pronësi të shtetasit Man Demiri, po kështu edhe një gjenerator elektrik, i cili ndodhej brenda në këtë mjet. Në vendin ku rezulton i vjedhur gjeneratori, u konstatua se autorët kanë tentuar të vjedhin edhe një automjet tjetër tip Benz, të cilat ishin në pronësi të shtetasit Enkelejd Cali, ndodhur në zonën e Paskuqanit.

Njëri prej personave mundi t'i largohej kapjes së policisë dhe nga strukturat e hetimit të krimit të policisë së Tiranës, po punohet nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e tij.

Policia siguron se të gjitha veprimet hetimore janë kryer nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe me pjesëmarrjen e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe premton se "për ecurinë e këtij hetimi do të infomojë në vazhdimësi".

e.r/NOA

KOMENTE