Tiranë, 20 shkurt, NOA - "Kërkesa e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama për hapjen e kutive është një parodi tallëse për vet interesat e socialistëve".
Akuza ndaj lidershipit të PS-së, vjen nga Sekretari për Marrëdhëniet Publike në LSI, Luan Rama, gjatë një deklaratë të dhënë sot për mediat.
"Dëshiroj të nënvizoj faktin se e gjithë vijësjellja politike e kryetarit josocialist të Partisë Socialiste rezulton të jetë fund e krye një demagogji e shndërruar në një parodi tallëse e fyese, në radhë të parë për vetë socialistët, të cilët nuk i bashkon asgjë me interesat e ngushta që mbron dhe përfaqëson kryetari dhe enturazhi i tij josocialist që ka uzurpuar Partinë Socialist", u shpreh Rama.
Ai hodhi poshtë pretendimet e PS-së për hapjen e kutive me anë të Kushtetutës duke deklaruar se lideri i PS-së e ka ndryshuar vet atë dy ditë më parë. Rama u shpreh se kërkesa e liderit të PS-së, vë në rrezik integrimin e vendit dhe rrezikon ta izolojë atë.
Nisur nga kjo Luan Rama, shtoi se selia rozë është në ditët e saj më të vështira.
"Partia Socialiste është sot ne pike te hallit; pa lidership vizionar, pa institucione dhe forume qe te shprehin dhe mbrojnë demokracinë e brendshme ne parti, pa përfaqësim parlamentar, pa alternative tjetër përveç bojkotit e rrugës, pa miq dhe aleate ndërkombëtare te cilët i ka patur me te shumte edhe kur sapo qe krijuar me 1991", u shpreh Luan Rama.
m.xh/NOA