English

Rama: Sheshi i Kombinatit, vihet në konkurs

Tiranë, 20 shkurt, NOA - Bashkia e Tiranës zgjodhi sot sheshin qendror të Kombinatit, i konsideruar në të kaluarën edhe si një pikë referimi e së shkuarës dhe regjimit komunist, për të përkujtuar 19-vjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha. I pranishëm në këtë aktivitet, kryebashkiaku Edi Rama, lançoi njëkohësisht edhe idenë e organizimit të një konkursi ndërkombëtar për sheshin e Kombinatit, konkurs që sipas tij do të na mundësojë ta vlerësojmë këtë hapësirë këtu në Kombinat, si një hapësirë ku mund të bashkëjetojnë në të njëjtin vend edhe edhe e shkuara si formë e kujtesës, edhe e ardhmja si pjesëmarrje e gjallë e të gjithë fëmijëve dhe të rinjve e të rejave të Kombinatit.

Ndër të tjera, kreu i Bashkisë theksoi se "askund në kryeqytet, më mirë se sa këtu në Kombinat dhe në këtë shesh, nuk ka një vend të përshtatshëm për t'iu referuar së shkuarës dhe njëkohësisht për të kthyer në një hapësirë të prekshme kujtesën e diktaturës, sëbashku me aspiratën e vjetër dhe të re të çlirimit prej saj, qoftë në kuptimin e sistemit tanimë të rrëzuar prej 20 vjetësh falë popullit, por qoftë edhe në kuptimin e mendësisë e cila vazhdon të jetë sfida e shoqërisë sonë".

Kështu ka lindur edhe ideja për të hapur edhe një konkurs ndërkombëtar, i cili do të na mundësojë ta vlerësojmë këtë hapësirë këtu në Kombinat, si një hapësirë ku mund të bashkëjetojnë në të njëjtin vend edhe edhe e shkuara si formë e kujtesës, edhe e ardhmja si pjesëmarrje e gjallë e të gjithë fëmijëve të Kombinatit, e të gjithë të rejave dhe të rinjve, e të gjithë banorëve të Kombinatit, por edhe të gjithë banorëve të Tiranës, ashtu sikundër edhe e vizitorëve që do t'i sillte në këtë shesh, referimi ndaj asaj së shkuare.

Sipas tij, pikërisht në Kombinat ka një hapësirë dhe një potencial shumë të madh për të mundur të kthehet në një pikë referimi në të gjithë qytetin tonë, si një pikë ku mund të bëhet një ekskursion me të shkuarën.

"Unë jam i bindur që kjo është një ide që do të ngjallë shumë interes dhe që do të sjellë në këtë konkurs shumë artistë të njohur, qoftë shqiptarë, qoftë të huaj, që me siguri do të na japin ide të çmuara, lidhur me mënyrën se si ne mund t'i qasemi këtij sheshi, se si mund t'i qasemi atij piedestali të zbrazët, se si mund t'i qasemi vetë godinës së Kombinatit, ku fare mirë mund të jetë vendi që përmbledh si një qendër e mirëfilltë e standarteve evropiane, gjithçka ka të bëjë me kujtesën e një periudhe, me të cilën falë Zotit dhe falë popullit të vet, Shqipëria është ndarë njëherë e mirë, nga pikëpamja e regjimit, por me të cilën kemi nevojë të ndahemi edhe nga pikëpamja e mendësisë", përfundoi Rama lidhur me një fakt të tillë.

n.e/NOA

KOMENTE