Kajro, 20 shkurt, NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka mbajtur fjalimin kryesor në konferencën e Mesdheut për rolin e gruas me titullin "Gratë parlamentare si faktor aktiv për zhvillimin", e cila u zhvillua në Kajro. Bëhet fjalë për evenimentin ku gratë parlamentare të vendeve anëtare të Unionit për Mesdheun u mblodhën në Kajro të Egjiptit, në një konferencë rajonale, për të kontribuar në arritjen e paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë.
E vlerësuar për prioritetet e saj si kryetare parlamenti, lidhur me një sërë çështjesh të ndjeshme sociale, që janë njëkohësisht disa nga sfidat globale, si reduktimi i varfërisë, dhuna kunder grave, lufta kundër kancerit të gjirit, Topalli u përzgjodh për të ndarë përvojën dhe modelin e saj për ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare, model që u cilësua nga Mubarak si histori suksesi.
Takimin e Kajros me gratë parlamentare nga rajoni i Mesdheut, Topalli, e vlerësoi si një shans për të koordinuar angazhimet dhe veprimet për ndryshim.
Ajo njohu pjesëmarrëset me përpjekjet e Shqipërisë gjatë dy dekadave të fundit në demokraci për të ndryshuar mentalitetin e shoqërisë, për të ndryshuar dhe përmirësuar mënyrën e jetesës, për të rritur përfaqësimin e grave në forumet vendimmarrëse.
"Nëse dikush do të shohë pas në historinë e vendit tim, - tha Topalli, - do të gjejë gra që kanë lënë gjurmë të thella. Dy mijë vjet më parë do të gjejë Teutën, mbretëreshën e parë ilire, 5 shekuj më parë do të gjëjë legjendën e Rozafës, e cila u sakrifikua në themelet e një kështjelle për ta bërë atë të fortë dhe të paprekshme. Dhe, nëse dikush sheh sërish më vonë në historinë e Shqipërisë, do të gjejë një shekull më parë simbolin e Shote Galicës, e cila luftoi për liri deri në vetëmohim".
Duke marrë si shembull krenarinë e kombit, Nënë Terezën, Jozefina Topalli tha se këto gra, pavarësisht, nëse janë mbretëresha, luftëtare të lirisë apo misionare, nuk janë vetëm simbole, por modele për t'u ndjekur.
n.e/NOA