Kajro, 20 shkurt, NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli është nderuar me një medalje të artë ku ishte gdhendur emri i saj gjatë vizitës së saj në Egjipt, e dorëzuar nga homologu i saj egjiptian, Fathy Souror.
Sipas këtij të fundit, kjo medalje do t'ia bënte kryetares së Kuvendit shqiptar të paharrueshme vizitën e saj të parë në Egjipt.
Më tej, në takimin e përbashkët, dy kryeparlamentarët vlerësuan se bashkëpunimi mes parlamenteve të të dy vendeve, me lidhje historike dhe miqësore, është shumë i rëndësishëm, por ai duhet forcuar në aspektin ekonomik, në shkëmbimet tregtare dhe në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Por dy homologët u ndalën edhe në çështjen e Kosovës, ku Topalli, duke vlerësuar ndihmën e dhënë nga Egjipti gjatë luftës në Kosovë, tha se ne e konsiderojmë Egjiptin si një vend lider të botës arabe, që me influencën e tij do të ndikonte mjaft në njohjen e shtetit të Kosovës.
"Ky realitet i ri, tha Kryetarja e Kuvendit, ka ndikuar në stabilitetin e rajonit tonë, duke çuar përpara fqinjësinë e mirë, pas njohjes së Kosovës nga të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë, përveç Serbisë", u shpreh ajo.
Ndërsa kryetari i komisionit të jashtëm të parlamentit të Egjiptit, i pranishëm në takim, siguroi Topallin se ky komision do t'i rekomandojë qeverisë së Egjiptit njohjen e shtetit të Kosovës, pasi edhe opinioni publik është në favor.
n.e/NOA