English

Biberaj: Diktatura nuk është zhdukur

Tiranë, 21 shkurt, NOA - Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike dhe Ish-Zv/President i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Aleksandër Biberaj, përsëndeti sot me rastin e 19 vjetorit të rrëzimit të statujës së diktatorit Enver Hoxha, studentët dhe pedagogët e grevës së urisë, si dhe popullin e Tiranës e të qyteteve të tjera që rrëzuan statujat e diktatorit Hoxha.

Në një prononcim për mediat, Biberaj theksoi se edhe pas 19 vitesh pasojat e komunizmit ende nuk janë eliminuar në vendin tonë. "Asnjëherë klasa politike shqiptare nuk pati vullnet të shkëputej nga trashëgimia komuniste, duke kryer dekomunistizimin e Shqipërisë; asnjëherë Shqipëria nuk zhvilloi një gjyq juridik, politik apo moral të tipit Nurenberg ndaj diktaturës dhe ideuesve të saj, ndaj frymëzuesve, mbështetësve, urdhëruesve dhe ushtruesve të saj; asnjëherë dhe askush nga PPSH dhe strukturat e saj, nga nomenklatura e sistemit komunist, persekutorët apo bashkëpunëtorët e atij sistemi çnjerëzor, nuk i kërkoi falje popullit shqiptar për vuajtjet, tragjedinë dhe persekutimin që i shkaktoi për rreth 50 vjet", u shpreh Biberaj.

Ai shtoi se qytetarët nuk kanë asnjë garanci se persekutorët dhe bashkëpunëtorët e atij sistemi dhe të shërbimit sekret të tij, "nuk janë në të gjitha nivelet, duke filluar nga parlamenti, qeveria, sistemi i drejtësisë, administrata publike, shërbimi diplomatik, arsimi, partitë politike, etj, pasi ata janë edhe shërbëtorët e servilët më të mirë edhe të lidershipit aktual politik".

m.xh.NOA

KOMENTE