Kumanov, 21 shkurt, NOA - Për t'u dalë në ndihmë banorëve që pësuan nga vërshimet e fundit në veriun e Shqipërisë, Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Maqedoni, me seli në Kumanovë, organizoi edhe një konvoj humanitar.
Me këtë rast, më datë 17.02.2010, në Komisionin e Emergjencave Civile të Qarkut të Shkodrës, u dorëzuan ndihma të konsiderueshme materiale, që përbënin dy furgona me ndihma ushqimore dhe joushqimore, edhe atë: miell (1350 kg), misër (100 kg), vaj (260 litër), makarona (110 kg), shampo (96 copë) dhe veshmbathje të llojeve të ndryshme. Poashtu, me këtë konvoj humanitar u dorëzuan edhe dy kamionë me rimorkio të ngarkuara përplot me ushqime për kafshë, të cilët u mirëpritën nga autoritetet dhe banorët vendas, për shkak të mungesës së tyre.
Konvoji humanitar i IGFM-së udhëhiqej nga kryetari i sekcionit të këtij organizmi ndërkombëtar në Maqedoni, Idriz Sinani dhe nënkryetari Ajredin Rama. Ndihmat ishin grumbulluar kryesisht nga donatorë të Strugës dhe rrethinës së saj.
Në shenjë mirënjohjeje për këtë kontribut humanitar, prefekti i qarkut të Shkodrës Maxhid Cungu, ka lëshuar një falënderim me shkrim në adresë të IGFM-së së Maqedonisë, ku shprehet mirënjohje për ndihmën e dhënë ndaj banorëve që u përballën me situatën e pakëndshme nga reshjet e shiut dhe përmbytjet në ditët e para të janarit 2010. "Ndihma juaj konsiderohet një akt fisnik dhe një kontribut i vyer, i cili tregon solidarizim vëllazëror", thuhet në falënderimin e kryetarit të Komisionit të Emergjencave Civile të Qarkut të Shkodrës - prefektit Maxhid Cungu.
Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Maqedoni, me seli në Kumanovë, do të vazhdojë edhe më tutje të jep kontributin e vetë modest gjithkund ku njeriut kanë nevoja emergjente.
NOA