Tiranë, 21 shkurt, NOA - Partia "Lëvizja e Legalitetit" përshëndeti sot nënshkrimin e protokollit të bashkëpunimit për restaurimin e monumenteve kulturore.
Marrëveshja u nënshkrua ndërmjet Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim.
Duke përkrahur këtë marrëveshje mes komunitetit mysliman, në emër të PLL-së, Sekretari Organizativ, Ergjent Bufazi, theksoi se ky akt nuk mund të jetë shenjë kompensimi për kërkesën e myslimanëve për ndërtimin e xhamisë në qendër të Tiranës.
"Partia "Lëvizja e Legalitetit" beson në misionin dhe rolin e rëndësishëm të fesë dhe komuniteteve fetare në zhvillimin e kombit dhe thekson se është detyrim i shtetit që të krijojë kushte të barabarta që këto komunitete të kryejnë normalisht funksionet e tyre. Restaurimi i xhamive historike që janë shpallur monumente kulture nuk mund të kompensojë faktin që Komunitetit Mysliman po i refuzohet prej vitesh leja e ndërtimit të një xhamie në pronën e tij në Tiranë", u shpreh Sekretari Organizativ i PLL, Ergjent Bufazi.
Sipas PLL, laicizmi nuk mund të përdoret si alibi për të shmangur përgjegjësinë që shteti ka për ruajtjen e harmonisë fetare.
Gjithashtu, laicizmi sipas PLL, nuk mund të përdoret; "për mos lejimin e ndikimeve të jashtme në drejtimin e komuniteteve përkatëse; apo për të marre veprime që krijojnë një ndjeshmëri të veçantë, siç është regjistrimi i popullsisë edhe mbi baza fetare".
Ndër të tjera, PLL thekson se shteti shqiptar duhet të jetë i vëmendshëm edhe ndaj deformimeve arkitekturore që janë bërë dhe po behën në shume objekte të tjera të kultit.
m.xh/NOA