English

Rrëshket dheu në Dajt, dëmtohen 10 shtëpi

Tiranë, 21 shkurt, NOA - Rrëshqitjet masive të dheut kanë dëmtuar 10 banesa në disa fshatra të komunës së Dajtit. Banorët prej disa ditësh kanë braktisur shtëpitë duke u strehuar përkohësisht tek të afërmit e tyre.

Një prej të dëmtuarve është Ibrahim Kryeziu i cili është zhvendosur nga fshati Shëngjergj i Tiranës në vitet '90. I moshuari, baba i dy fëmijëve, thotë se prej 20 vitesh që kur ka ndërtuar shtëpinë e tij dykatëshe, nuk ka ndjerë asnjë rrezik nga erozioni.

Por vetëm këtë javë, me shtimin e reshjeve të shiut, masive dheu të shkëputur nga mali, i janë afruar dritares në katin e dytë duke i shkaktuar çarje të mureve në pjesën e prapme të godinës.

"Kam disa ditë që kam dërguar fëmijët tek të afërmit. Ata janë studentë dhe po rrezikojnë vazhdimin e shkollës nëse nuk i strehoj në një banesë të sigurt. Vetë jam invalid i shkallës së dytë ndaj kërkoj ndihmën e shtetit për të më strehuar, pasi rrezikun e kam pranë shtëpisë. Rrëshqitjet vazhdojnë ende ndaj muret rrezikojnë të shemben", thotë Kryeziu.

Sekretari i këshillit të komunës Dajt, Njazi Deliu thotë se banorëve u është dhënë urdhri për evakuim dhe po evidentohen dëmet që u janë shkaktuar. Sipas Deliut, banesat e ndërtuara janë në proces legalizimi pasi janë ndërtuar në zona informale.

"Rrëshqitje masive të dherave kemi evidentuar në disa fshatra të komunës Dajt, si në Qafë Mollë, Murth, Lanabregas, Priskë e Surrel. Menjëherë kemi dërguar specialistët tanë për të mësuar mbi shkaqet dhe kemi nisur evidentimin e dëmeve. Nga ana e komunës kemi marrë masat për dhënien e ndihmë së menjëhershme duke i strehuar banorët në ndërtesa me qera, e duke u ofruar pagesat", thotë përfaqësuesi i komunës.

Ditën e shtunë, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand poni i cili vizitoi nga afër fshatin Kryevidh në Kavajë i dëmtuar këtë javë nga erozioni, deklaroi se të gjithë banorët të cilëve u janë dëmtuar banesat do të dëmshpërblehen nga qeveria një më një.

b.a/NOA

KOMENTE