Peqin, 21 shkurt, NOA - Rrëshqitjet masive të dheut kanë dëmtuar dhjetëra banesa në komunën e Pajovës në Peqin. Sipas të dhënave të korrespondentit tonë, mësohet se dherat kanë bllokuar rrugët e fshatrave që lidhen me komunën dhe kanë shkulur mijëra rrënjë pisha.
Në fshatin Haspiraj të kësaj komune, janë dëmtuar 12 shtëpi ndërsa 8 të tjera rrezikojnë shembjen.
Gjithashtu rrëshqitjet e dheut kanë shkulur 8 dynym pemë frutikulture.
Ndërsa në fshatin Bishqem, janë shembur rreth 13 varre prej erozionit të tokës.
Një pjesë e banorëve kanë zhvarrosur të afërmit e tyre duke i spostuar në një tjetër vend të sigurt.
Varrezat janë afër një zone të banueshme dhe rreshkitjet e dheut po i spostojnë të vdekurit në oborret e shtëpive.
Kryetari i Komunës Pajovë, Albert Kreci thotë se ka marrë masat për zgjidhjen e situatës, duke i siguruar një vend tjetër për të vdekurit.
Fenomenet natyrore nuk kane kursyer edhe 10 hektarë toke, të cilët janë marrë me vete nga shtrati I ujërave Shkumbin.
Fenomeni I erozionit u ka shkaktuar këtyre banorëve të kësaj zone miliona lekë e për këtë arsye ata kërkojnë të dëmshpërblehen nga qeveria.
b.a/NOA