English

Sekuestrohen 75 kg drogë, kapen dy persona

Gjirokastër, 21 shkurt, NOA - Forcat e policisë së Gjirokastrës kanë sekuestruar 75 kilogramë lëndë narkotike e llojit marijuanë, si dhe kanë arrestuar në flagrancë dy personat që po e transportonin atë.

Lajmi bëhet me dijeni prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se të ndaluarit janë 44-vjeçari Agim Merdani, lindur dhe banues në Tepelenë dhe 42-vjeçari Flamur Muçodemi, lindur në Tepelenë dhe banues në Durrës.

I pari ndërkaq, bëhet me dijeni se është edhe drejtuesi i automjetit tip Benz me traga TP 29 06 B, me të cilin do të transportonin lëndën narkotike.

Denoncimi i tyre për veprën penale që po kryenin u realizua nga një telefonatë anonime, ndërsa të lartpërmendurit u kapën në vendin e quajtur "Shkëmbi mbrapa Kalasë" në Gjirokastër me disa çanta të mëdha shpine të mbushura plot me lëndë narkotike, që po i çonin tek një automjet tip Benz i cili ndodhej përballë tunelit të kalasë në rrugën që të çon në lagjen Manalat.

Në momentin e ndërhyrjes nga ana e policisë, dy çanta janë bllokuar në bagazhin e automjetit, ndërsa çantën e tretë e bllokuan në vendin ku i kishin fshehur së bashku me personin tjetër. i cili po e merrte për ta çuar tek automjeti.

Nga kontrolli i ushtruar rezultoi se çantat ishin të mbushura me lëndë narkotike e dyshuar si marijuanë e papaketuar, në gjendje të presuar të ngjeshur, ku të treja çantat peshonin rreth 75 kilogramë.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se lëndën narkotike këta persona e kishin blerë në fshatin Lazarat dhe do ta çonin në drejtim të shtetit grek.

Materialet në ngarkim të këtyre dy personave iu kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme mbi veprën penale të "Trafikut të lëndëve narkotike".

n.e/NOA

KOMENTE