Tiranë, 22 shkurt, NOA - Kryeministri Sali Berisha, u shpreh sot se vendi ka bërë progres mjaft të madh për arritjen e standardeve që do të sjellin liberalizmin e vizave. Në mbledhje e grupit të deputetëve të PD-së, Berisha informoi se institucionet po ecin me vendosmëri të madhe.
"Gjatë këtyre 2-3 javëve ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë në vijim, një numër shumë të madh ekspertësh të vendeve anëtare të BE-së dhe të Komisionit Evropian, që po kontrollojnë në vend, po testojnë të gjitha praktikat, kriteret, kërkesat e udhërrëfyesit për heqjen e vizave. Ajo çka vihet re, është një punë shumë serioze në plotësimin dhe zbatimin e këtyre kërkesave", u shpreh Berisha.
Ai vlerësoi si shenjë mjaft pozitive në arritjen e standardeve, faktin se ministria e Brendshme ka lëshuara mbi gjysmë milioni pasaporta të standardit më të mirë në botë. "Kryeministri belg më foli me superlativat më të mëdha për cilësitë e kësaj pasaporte. Një student shqiptar, i cili kualifikohej në Boston për financë, të cilin unë e prita gjatë qëndrimit tim në Nju Jork, do të më shprehej se momentet e krenarisë së tij të madhe që ai kishte ndier, ishin kur polici kishte parë pasaportën dhe i kishte thënë se ne një të tillë nuk e kemi", u shpreh kryeministri Berisha.
m.xh/NOA