Tiranë, 22 shkurt, NOA - Qeveria shqiptare i ndjek me vëmendje zhvillimet e problemet në Luginën e Preshevës dhe është gatshme të kontribuojë edhe në të ardhmen në drejtim të përmirësimit të tyre. Një fakt të tillë kryeministri Berisha ia bëri me dije në një takim miqësor, një përfaqësie të gjerë të partive politike të Luginës së Preshevës. Sipas Berishës, dyert e shkollave dhe universiteteve shqiptare, do të jenë gjithmonë të hapura për të rinjtë kosovarë, ashtu si përpjekja shqiptare pranë autoriteteve përkatëse për njohjen e diplomave të tyre.
"Shqiptarët, kudo që janë, nuk duhet të jenë pesimistë. Zhvillimet demokratike dhe tendenca europiane që ka përfshirë Ballkanin Perëndimor, do të krijojë klimë gjithnjë e me demokratike edhe në Serbi për garantimin e të drejtave humane të popullsisë shqiptare. Zëri i Shqipërisë do të jetë gjithmonë prezent në të gjitha takimet me faktorët politikë dhe ekonomikë ndërkombëtarë, si dhe me Beogradin zyrtar", tha më tej kryeministri.
Sipas tij, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në te ardhmen në marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë do të lejojnë një dialog më të drejtpërdrejt në favor të interesave të tyre.
Ndërkaq, përfaqësuesit e partive politike të Luginës së Preshevës, pasi e përshëndetën për pritjen e ngrohtë, e falënderuan kryeministrin për interesimin e vazhdueshëm rreth përpjekjeve të shqiptarëve të kësaj zone për liri dhe të drejta njerëzore.
Në këtë drejtim, politikanët e Luginës së Preshevës shprehen mirënjohjen për ndihmën e qeverisë shqiptare për mikpritjen e nxënësve dhe studenteve kosovarë në auditorët e shkollave dhe universiteteve të Shqipërisë, si dhe për simpatinë e treguar.
n.e/NOA