English

Dajçi rrezikon të përmbytet

Tiranë, 22 shkurt, NOA - Ministria e Bujqësisë deklaron në raportin e saj për situatën në vend se rritja e nivelit të lumit Buna mund të sjellë përmbytjen e zonës së Dajçit. "Për shkak të reshjeve të mëdha dhe nga rritja e shkarkimeve nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, niveli i lumit Buna ka arritur në kuotën rreth 6.12 metër në Dajç.

Ka filluar shkarkimi i Bunës edhe nga kanali i Shirgjit, i cili shkarkon në Vilun. Jemi në një situatë kritike, ku nëse niveli në Shirgj do të arrijë në kuotën 6.4 metër atëherë fillon dhe përmbytja e tokave në fshatin Dajç", thuhet në njoftimin zyrtar të ministrisë së Bujqësisë.

Ministria, në koordinim me dikasteret e tjera deklaron se po monitorohen argjinaturat e lumit Buna, duke marrë masa për ndërhyrje eventuale në segmentet e rrezikuar.

Duke u ndalur në zonat e tjera, ministria thekon në njoftimin e saj se "argjinatura e Çasit, paraqitet në gjendje të mirë pas përfundimit të riparimit të saj për shkak të dëmtive gjatë përmbytjeve të muajit janar. Nuk ka ngritje të nivelit të ujit në 1500 ha të fushës së Çasit, ndërsa largimi i ujit po bëhet nëpërmjet funksionimit të hidrovorit të Çasit".

Duke u ndalur në situatën në Lezhë, ministria deklaron se është rritur niveli i ujit në kënetën e Tajles "duke u përsëritur në këtë mënyrë i njëjti fenomen si në përmbytjen në fillim të janarit 2010".

Ngritja e nivelit të ka rrezikuar prishjen e argjinaturave në hidrovorin e Taljes, por ndërhyrjet urgjente të bëra gjatë natës së mbrëmshme nga Bordi i Kullumit të Lezhës deri tani e kanë shmangur këtë rrezik.

m.xh.NOA

KOMENTE