Shkup, 22 shkurt, NOA - Kanë kaluar më pak se dy muaj nga hyrja në fuqi e vendimit për liberalizimin e vizave, ndërsa deri tani mbi 200 mijë shqiptarë nga Maqedonia kanë braktisur vendin, në kërkim të një jete më të mirë në vendet e Perëndimit. Intelektualët shqiptarë kanë ngritur shqetësimin se, nëse vazhdon ky trend i braktisjes së vendit në mënyrë masive, shqiptarëve në Maqedoni u rrezikohen edhe ato pak të drejta të garantuara me Marrëveshjen e Ohrit, që janë inkorporuar në Kushtetutën e vendit, ku shqiptarët potencohen si bashkësia etnike mbi 20 për qind.
Edhe partitë politike janë vënë në alarm dhe të shqetësuara për shkak se me këtë krijohet edhe dezorientimi i tyre rreth kontrollit të votuesve për në zgjedhjet e ardhshme. Me Marrëveshjen e Ohrit që tanimë është pjesë e ligjeve të vendit, të drejtat e shqiptarëve janë të rregulluara zyrtarisht në bazë të përqindjeve, apo siç nënvizohet "bashkësia etnike mbi 20 për qind", ku me këtë janë rregulluar të drejtat bazë si rreth përdorimit të gjuhës, simboleve në territoret ku popullsia është 50 % dhe të drejta të tjera të përfaqësimit.Por nga ana tjetër, eksperti për çështje demografike, prof.dr. Asllan Selmani vlerëson se përfundimisht matematikat apo përqindjet nuk guxojnë të jenë faktor për të drejtat e njeriut këtu në Maqedoni. "Pra shqiptarët janë pjesë përbërëse dhe kyçe në këtë shtet, duke qenë një popull i barabartë me maqedonasit. Përfundimisht duhet të zhduket përqindëshi që është në kushtetutë, për shkak se vijmë në situata se ne të drejtat i kemi të fituara falë asaj përqindje. Asnjëherë shqiptarët nuk kthehen në gjendje tjetër, andaj edhe çdo migrim nuk duhet të merret si bazë që rrezikon shqiptarët", thekson për agjencinë e lajmeve INA, Asllan Selmani. Sipas tij, edhe përkundër braktisjes së vendit nga popullsia kryesisht e zonës së Kumanovës, megjithatë shqiptarët në aspektin e shtimit natyror tejkalojnë maqedonasit, sepse shqiptarët në shtimin e përgjithshëm natyror në Maqedoni dominojnë me 85 për qind. Sipas statistikave të fundit të demografëve shqiptarë, në dy vitet e fundit rreth 15 mijë maqedonas kanë braktisur vendin, për shkak të mungesës së alternativave për punë dhe jetesë. Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane (OBREI) vlerëson se shqetësimet vijnë kryesisht nga zona e Kumanovës dhe Shkupit, ku ka ikje masive. Kjo organizatë kërkon që institucionet shtetërore të ndërmarrin masa dhe të dinë se kush shkon jashtë dhe këto të dhëna të zyrtarizohen në Entin Shtetëror të Statistikave (ESHS).
Belgët mbërrijnë në Maqedoni
Numri i madh i familjeve shqiptare që po zbarkojnë në Belgjikë dhe Francë kanë shqetësuar autoritetet belge të emigracionit, të cilët 2 muaj rresht kanë dëgjuar deklarata nga më të ndryshmet dhe të tmerrshme për situatën në Maqedoni, nga personat të cilët kërkojnë mbrojtje dhe strehim nga ky shtet. Agjencia e lajmeve INA mëson se këtyre ditëve, në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe njësinë rajonale në Kumanovë ka ardhur një delegacion i shoqatave humanitare dhe të drejtave të njeriut, por edhe hulumtues të institucioneve nga Belgjika për të mësuar më hollësisht se çfarë po ndodhë në të vërtetë me shqiptarët në këto hapësira. Ata po kërkojnë shkaqet dhe arsyet e këtij fenomeni të cilin askush se kishte parashikuar si të tillë. INA mëson se zyrtarët belg, pasi të marrin të informacionet e nevojshme, në afat prej tre muajve do të vendosin se do ti mbajnë apo jo këto familje, të cilat parashtruar kërkesat e tyre për siç thonë ata azil ekonomik.
Maqedonasit nuk lëvizin
Për dallim nga familjet shqiptare të cilat po ikin çdo ditë e më tepër drejtë vendeve të Bashkimi Evropian, maqedonasit preferojnë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
"Dy herë në javë prej Kumanovës nga dy autobusë përplot me shqiptar i nisim për në Belgjikë dhe Francë. Familjet shqiptare po marrin rrugën me shpresën se do të shkruhen azil në vendet e perëndimit. Ajo që bie në sy se gjithë këto udhëtime, deri më tani asnjë familje maqedonase nuk ka udhëtuar me ne në destinacionin Kumanovë-Belgjikë ", theksoi Florimi, pronar i agjencisë turistike "Euro Tours". Ai thotë ka dëgjuar nga kolegët e tij maqedonas, se një numër i vogël i maqedonasve udhëtojnë, por kryesisht janë tregtarë dhe biznesmen. Ilir Memeti nga Kumanova, i cili ka kohë që nuk punon askund, thotë se, maqedonasit nuk largohet, sepse shumica prej tyre janë të punësuar, ose secili ka një të punësuar në familje, ndërsa shqiptarët janë në gjendej të mjerueshme. Sipas tij, kafshata e bukës i detyron ta braktisin vendin, edhe pse janë të vetëdijshëm për pasojat. Edhe fundjavën e kaluar po ashtu u regjistrua një karvan i ri i të larguarve nga vendi drejt tokës evropiane, mirëpo deri tani mungojnë shifrat zyrtare.
NOA-INA