Haiti, 22 shkurt, NOA - Numri i viktimave të shkaktuara nga tërmeti në Haiti mund të jetë shumë më i madh sesa parashikimet. Presidenti i Haitit, Rene Preval u shpreh sot se bilanci përfundimtar i viktimave nga tërmeti shkatërrimtar i 12 janarit mund të shkojë në 300 mijë.
Preval ka thënë se deri tash janë gjetur më shumë se 200.000 të vdekur, por ka shtuar se shifra mund të shkojë në 300.000 kur të nxirren të gjitha kufomat nga rrënojat, transmetoi AP.
Qeveria e Haitit ka vlerësuar se numri i mundshëm i viktimave mund të sillet prej 170.000 deri 230.000. Sipas vlerësimeve të Bankës Interamerikane për Zhvillim, rindërtimi i vendit të goditur nga tërmeti prej 7 shkallë të Rihterit, ku vetëm në kryeqytetin Port-o-Prens u shembën 250 mijë shtëpi ndërsa 1.5 milionë njerëz mbetën pa kulm mbi kokë, mund të kushtojë 14 miliardë dollarë.
NOA/EN