Tiranë, 22 shkurt, NOA - Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti sot në një takim përfaqësuesit politikë shqiptarë të komunave të Luginës së Preshevës. Gjatë takimit u diskutua për situatën politike dhe të sigurisë në Luginën e Preshevës dhe më gjerë në rajon. Në këtë kuadër, zv/kryeministri Meta rikonfirmoi mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për shqetësimet dhe kërkesat e ligjshme të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Gjithashtu, ai i inkurajoi përfaqësuesit politikë për një qëndrim të unifikuar në kërkesat e tyre, i cili do të shtonte ndikimin e tyre politik si dhe do të krijonte mundësi më të mëdha për përfaqësimin e interesave të shqiptarëve në Serbi.
"Dëshirojmë që Lugina e Preshevës të jetë një burim stabiliteti për të gjithë rajonin por njëkohësisht edhe një burim mirëqenie dhe perspektive për të gjithë banorët e saj dhe në mënyrë të veçantë për shqiptarët të cilët janë ndeshur vazhdimisht me vështirësi të ndryshme. Ne do të jemi pranë këtij komuniteti dhe besojmë që edhe bashkëpunimi ndërmjet gjithë faktorëve shqiptarë atje, do të ndihmojë në progresin e mëtejshëm të gjithë të drejtave të tyre", tha Meta pas takimit.
Ndërsa Riza Halimi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, deputet i Kuvendit të Serbisë, u shpreh se "presim edhe nga vizitat, që besoj se do të kemi në nivelin më të lartë edhe në Beograd, por edhe të përfaqësuesve më të lartë të Serbisë në Tiranë, në mënyrë që të drejtat e Shqiptarëve në Luginën e Preshevës të avancohen, dhe që të zgjidhen problemet e ndjeshme ekonomike dhe socio-politike".
"Në kemi probleme shumë të ndjeshme në arsim, si mos njohjen e diplomave të Universitetit të Prishtinës, por kemi probleme të mëdha edhe me njohjen e diplomave të Universitetit të Tiranës dhe besoj se në këto pak çështje ne do të kemi përkrahjen e Qeverisë shqiptare dhe natyrisht besoj që do të kemi përkrahjen edhe në aktivitetin aktual që kemi lidhur me formimin e Këshillit Nacional të shqiptarëve, me të cilin besojmë se do ti zgjidhim në mënyrë më efikase problemet tona dhe atëherë do të kemi një partner edhe në strukturat shtetërore në Serbi. Do të ofrojmë mundësi që edhe qeveria shqiptare në këtë drejtim të japë një kontribut shumë më të madh se deri më tani", tha më tej Mustafa.
n.e/NOA