Tiranë, 22 shkurt, NOA - Raportuesi i posaçëm i OKB-së për të drejtat e njeriut për vrasjet jashtëgjyqësore, Philip Alston, ka deklaruar sot se Shqipëria duhet të zbardh krimet e kryera gjatë diktaturës komuniste.Deklarata është bërë gjatë takimit që Alston zhvilli me kryeministrin Sali Berisha.
"Shqipëria duhet të zbardhë të gjithë krimet e kryera gjatë periudhës së diktaturës komuniste dhe të bëjë transparencën e plotë për ngjarjet dhe aktorët.", u shpreh zoti Alston.
Gjithashtu ai e vlerësoi shumë pozitivisht Shqipërinë, si një ndër vendet me më pak probleme për sa i përket numrit të vrasjeve jashtëgjyqësore, duke theksuar se Shqipëria lë pas edhe shumë vende të zhvilluara në këtë drejtim. "Zoti Alston përshëndeti dhe vlerësoi faktin që në Shqipëri ekziston kuadri i plotë ligjor për krimet ndaj jetës së njeriut, si edhe vendosmërinë dhe rezultatet e qeverisë në luftën kundër krimeve ndaj jetëve njerëzore, përfshi edhe rastet krimeve për arsye të hakmarrjes, por edhe ndaj krimeve të tjera siç janë dhuna në familje, etj", thuhet në njoftimin e kryeministrisë në lidhje me takimin.
Kryeministri Berisha e njohu përfaqësuesin e OKB-së me masat e rëndësishme te marra nga qeveria shqiptare, si ato financiare ashtu edhe të tjera kundër dhunës në familje si dhe për mbrojtjen dhe integrimin e viktimave të dhunës në jetën e përditshme.
m.xh/NOA