English

Përmbytjet, zonat më problematike në vend

Tiranë, 22 shkurt, NOA - Situata e krijuar nga reshjet e ditëve të fundit ka sjellë probleme në shumë zona të vendit. Ministria e Bujqësisë pas monitorimit që ka bërë në lidhje me zonat më problematike, deklaron se problemet kryesore janë në Lezhë, Mat, Korçë, Shkodër dhe Fier.

Sipas ministrisë, reshjet kanë qenë në nivelet të larta, 156 milimetër në Shkodër, 94 në Lezhë dhe 103 në Korçë. Gjithashtu, sërish është vrejtur fenomeni i shkrirjes masive të dëborës gjatë javës së kaluar, nga ngritja e temperaturave deri ne 23 gradë celsius.

Sipas ministrisë në Mat, si pasojë e prurjet e mëdha në basenet ujëmbledhës të disa rezervuarëve kanë bërë që të ngrihen shumë shpejt nivelet e ujërave në rezervuarë, madje në disa prej tyre janë krijuar situata që cenojnë sigurinë e digave. "Veçanërisht nivelet e larta të ujit në rezervuar dhe mosfunksionimi me kapacitet të plotë të shkarkuesve katastrofik dhe ujëlëshuesve, kanë vënë në rrezik digën e rezervuarit Sukbull në Komunën Lis dhe Bejn 1 dhe Bejn 2 në Komunën Klos. Aktualisht këto rezervuarë po mbahen në mbikëqyrje", thuhet në njoftimin e ministrisë.

Në qarkun e Korçës, nga prurjet e mëdha të lumit Devoll mbi nivelet kritike, në afërsi të fshatit Sheqeras një segment i argjinaturës së këtij lumi është dëmtuar. "Vërshimet e ujit kanë shkaktuar përmbytjen e rreth rreth 3000 ha tokë bujqësore (një pjesë e të cilës është e përmbytur në mënyrë të vazhdueshme si zonë depresive). Ndërhyrjet për riparimin e argjinaturës së dëmtuar do të fillojnë menjëherë sapo të ulet niveli shumë i lartë i lumit", thuhet në njoftimin zyrtar të ministrisë së Bujqësisë.

Në një raport të gjitha zonave problematike specialistët e ministrisë kanë vrejtur se gjatë 10 ditëshit të fundit janë evidentuar probleme të shumta në disa zona të vendit në digat e rezervuarëve: Kurjan në Fier, Paskuqan në Tiranë, Ballaban dhe Kajcë në Përmet, Prishtë në Skrapar, Memaj në Durrës, etj.

"Probleme janë evidentuar edhe nga rritja e nivelit të lumit Devoll (në zonën e Kuçovës) duke gërryer toka bujqësore dhe rrezikuar stacionin e ujit të pijshëm të fshatit Kozarë, pranë digës së Vlashukut. Gjithashtu, në lumin Drin në Shkodër, në zonën e Ashtës, fshati Lukaj, është dëmtuar një segment i tokës bujqësore dhe rrezikohen edhe 8 shtëpi banimi", thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe e Mbrojtjes së Konsumatorit sqaron se po e ndjek situatën 24 orë në 24 dhe gjithë bordet e kullimit dhe baza teknike e tyre është në gatishmëri.

m.xh/NOA

KOMENTE