English

PS: Ligji i SHISH, të iki Topalli e Rusmali

Tiranë, 22 shkurt, NOA - Partia Socialiste denoncoi sot miratimin e ligjit për Shërbimin Informativ Kombëtar. Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, në një konferencë për shtyp u shpreh se qeveria ka planifikuar ta miratojnë në mënyrë sekrete këtë ligj. Sipas tij mbledhja e komisionit të ligjeve për kalimin e draftit për SHISH-in është bërë në mënyrë të fshehtë dhe në shkelje me rregulloren.

"Në një mbledhje sekrete, larg vëmendjes së opinionit publik, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit (Neni 35), është mbledhur në fshehtësi të plotë Komisioni Parlamentar i Ligjeve dhe ka miratuar projekt ligjin e SHISH, duke shpërfillur thirrjet e Partisë Socialiste, apelin e shoqërisë civile, e madje duke shpërfillur edhe kërkesat e ndërkombëtarëve që më shumë se një herë i bënë thirrje maxhorancës të ndalet", shpreh Tahiri.

Duke vlerësuar se kryeministri Berisha nuk po i përgjigjet ftesës për dialog, Tahiri ka bërë katër kërkesa ndaj kreut të qeverisë në lidhje me miratimin e ligjit në fjalë në Komisionin e Ligjeve.

"I bëjmë thirrje mazhorancës, e veçanërisht Kryeministrit: të deklarojë pa asnjë ekuivok tërheqjen pa kushte nga ndryshimet e propozuar për ligjin e SHISH. Të shkarkojë Kryetarin e Komisionit të Ligjeve. Anulimin e pasojave (miratimi i p/ligjit për SHISH) që ka sjellë mbledhja e fshehtë komisionit në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit (Neni 35), si dhe të kërkojë ndjesë publike ndaj opozitës, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë', u shpreh Tahiri. Ai gjithashtu, është shprehur që kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli duhet të jap dorëheqjen, që ka lejuar vazhdimin e procedurave për këtë ligj.

m.xh/NOA

KOMENTE