Tiranë, 22 shkurt, NOA - Komisioni hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit duhet të funksionojnë sipas Kushtetues dhe ligjeve të vendit. Ky është qëndrimi i Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë takimit me Komitetin Presidencial të Asamblesë së Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Mevlut Kavushoglu.
Zyra e shtypit e Kuvendit, njofton se Topalli ka theksuar se bojkoti i Parlamentit është një formë e dënueshme dhe mazhoranca ka qenë e gatshme të plotësojë kërkesat e opozitës në përputhje me ligjet e vendit.
Gjatë takimit, Kryetarja e Kuvendit bëri një ekspoze të zhvillimeve në Shqipëri, në mënyrë të veçantë pas rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Topalli ka vlerësuar miratimin e rezolutës së KiE dhe rikonfirmoi vlerësimin për raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet.
"Kryetarja e Kuvendit vlerësoi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, jo vetëm si procesi më i mirë zgjedhor në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, por edhe si një gur i rëndësishëm në forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor. Ajo tha se, çdo përpjekje që cënon këtë arritje të madhe të Shqipërisë duhet konsideruar si përpjekje kundër interesave dhe aspiratave të popullit shqiptar. Si Kryetare e Kuvendit ajo garantoi se është e vendosur për të mbrojtur Kushtetutën, parlamentarizmin dhe shtetin ligjor", thuhet në njoftimin për shtyp të Parlamentit.
Kryetarja e Kuvendit është shprehur se "bojkoti si një mohim i demokracisë, është një praktikë e dënueshme dhe si e tillë është konsideruar nga të gjithë dokumentat e institucioneve ndërkombëtare".
Ajo ka theksuar se mazhoranca ka bërë përpjekjet e saj insitucionale për të komunikuar me çdo deputet të opozitës, duke i ftuar ata të respektojnë Kushtetutën dhe mandatin që i ka dhënë populli.
"Kryetarja e Kuvendit informoi gjithashtu edhe për ofertën e bërë opozitës nga mazhoranca për ngritjen e një komisioni hetimor, i cili mund të funksionojë vetëm në zbatim të Kushtetutës, parimit të ndarjeve të pushteteve dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese", thuhet në njoftimin e Kuvendit.
m.xh/NOA