English

Topi: Palët dialog në bazë të rezolutës

Tiranë, 22 shkurt, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka deklaruar sot gjatë takimit me Komitetin Presidencial të Asamblesë së Këshillit të Evropës, se zgjidhja politike në vend do të vijë në bazë të zbatimit të rezolutës së KiE-së.

Në takimin me delegacionin e kryesuar nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Mevlut Kavushoglu, kreu i shtetit shprehu bindjen se palët do të gjejnë konsensus.

Zyra e shtypit të Presidentit njofton se kreu i shtetit e njohu delegacionin me disa prej arritjeve më të rëndësishme të vendit tonë në rrugën e reformave integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar faktin se përmbushja e standardeve integruese është një detyrim, por edhe domosdoshmëri për shtetin shqiptar në shërbim të interesave madhorë të popullit shqiptar dhe në funksion të një së ardhmeje të sigurtë e me prosperitet.

"Kryetari i Shtetit bëri një panoramë të gjendjes politike, por përqendrimin kryesor kjo bisedë mes personaliteteve të larta e pati në zhvillimin e tryezës politike të bisedimeve mes mazhorancës dhe opozitës, nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Lidhur me këtë, Presidenti Topi vuri në dukje dhe vlerësoi vullnetin politik të palëve për arritjen e një zgjidhjeve konstruktive që do i shërbente jo vetëm përmirësimit të klimës politike në vend, por në radhë të parë konsolidimit të demokracisë shqiptare dhe të imazhit të jetës institucionale në Shqipëri, po ashtu dhe interesave madhorë të qytetarëve shqiptarë", thuhet në njoftimin e Presidencës.

Topi u ka theksuar përfaqësuesve të KiE-së, gatishmërinë dhe angazhimin e tij në këtë drejtim, duke përdorur të gjithë mekanizmat kushtetuese dhe institucionale për arritjen e një rezultatit pozitiv. "Presidenti Topi vuri në dukje gjithashtu se gjatë takimeve dhe diskutimeve në kuadër të tryezës politike, palët u janë referuar në mënyrë të veçantë pikave të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të KiE", thuhet në njoftimin zyrtar të presidencës.

m.xh/NOA

KOMENTE