English

Topi: Qeveria, përpjekje serioze kundër krimit

Tiranë, 22 shkurt, NOA - Qeveria shqiptare po bënë përpjekje serioze në luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomeneve negative, duke përmbushur detyrimet ndaj partnerëve dhe organizatave ndërkombëtare.

Vlerësimi ka ardhur nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, sot gjatë takimit me Raportuesin e Posaçëm të OKB-së, Filip Alston. Raportuesi i OKB-së ndodhet në Shqipëri prej disa ditësh ndodhet në një vizitë në kuadër të përmbushjes së reformave në vendin tonë.

Kreu i shtetit e njohu Alston me disa prej zhvillimeve më aktuale në Shqipëri në fusha ku shteti shqiptar po punon me seriozitet për realizimin e reformave efikase.

Topi u ndal në hapat e ndërmarrë për respektimin e të drejtave të njeriut si "element substancial i çdo shoqërie demokratike".

Presidenti u shpreh se shteti shqiptar po bën përpjekje serioze në luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomeneve negative si trafikimi i qenieve njerëzore, gjakmarrja dhe dhuna në familje, duke patur në këtë drejtim dhe mbështetjen e vazhdueshme të strukturave të posaçme dhe misioneve të specializuara ndërkombëtare.

"Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat dhe vështirësitë, me të cilat po përballemi në vijimësi, por edhe të bindur në realizimin me sukses të misionit tonë për ruajtjen dhe konsolidimin e standardeve demokratike në vend", u shpreh Topi gjatë takimit.

Përfaqësuesi i OKB-së, shprehu mirënjohjen për mikpritjen dhe gatishmërinë e treguar nga të gjitha institucionet e shtetit shqiptar gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri në përmbushje të misionit të posaçëm. "Përparimin e bërë këto vite në vendin tonë dhe ndryshimet e dukshme pozitive që kanë ardhur në jetën e qytetarëve shqiptarë si përsa u përket transformimeve demokratike ashtu edhe kujdesit dhe respektimit të të drejtave të njeriut", u shpreh, Filip Alston.

m.xh/NOA

KOMENTE