Karlshamn, 23 shkurt, NOA - Në Karlshamn të Suedisë, dy ditë më parë, me një program të pasur nga nxënësit dhe muzikë deri në orët e mesnatës, qindra bashkatdhetarë bashkarisht kremtuan 2-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. "Jo shumë larg, Liria dhe Pavarësia e Kosovës ishin ëndrrat tona të vetme. Këto ëndrra tashmë u bënë realitet. Dikur ëndërronim që në vendin e demokracisë, këtu në Suedi, të kishim përfaqësinë e shtetit tonë. Dhe për kënaqësinë tonë, në 2-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, e festojmë edhe me këtë ëndërr të realizuar. Pra, sot kemi në Stokholm ambasadën e Republikës së Kosovës. Këto janë ëndrrat dhe synimet tona dikur që tashmë janë realitet dhe që na gëzojnë shumë, por që këto ëndrra të bëhen realitet shumë njerëz nuk kursyen as mundin, as dijen, as djersën, as gjakun as jetën... Prandaj gjithë atyre që bënë aq shumë që ne sot të festojmë ju përkulemi në shenjë mirënjohje e respekti të thellë", tha në fjalën e rastit, shkrimtari dhe mësuesi Rizah Sheqiri, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë.
Më tej, ai përmendi edhe disa nga ëndrrat e synimet aktuale të shqiptarëve dhe u lut që edhe ato sa më shpejt të bëhen realitet.
Programi me këngë të zgjedhura nga këngëtari Gazmend Kelmendi i përcjellë nga orkestra e tij dhe me vallëzime të përbashkëta vazhdoi deri në orët e pasmesnatës.
n.e/NOA