Shkup, 23 shkurt, NOA - Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski sot sërish theksoi se nuk do të ketë riformatim të qeverisë, por as edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. "Nuk kemi qëllim të shkojmë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Ne disa herë e kemi thënë këtë. Sa i përket rejtingut, ajo nuk është diçka që ne jemi përqëndruar. Për mua me rëndësi është t'i përmbushim premtimet të cilat i kemi dhënë përmes programit tonë", deklaroi Gruevski duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për sondazhet e fundit në media, të cilat atë e nxjerrin si fitues të zgjedhjeve.
Në një anketë të publikuar dje nga Instituti "Pavel Shatev", partia e kryeministrit sërish doli e para.
Në bazë të anketës së institutit "Pavel Shatev" të zbatuar nga 15 deri më 20 shkurt në 1.106 të anketuar terreni në pyetjen nëse nesër mbahen zgjedhje parlamentare për kë do të votoni, 24,5 për qind u deklaruan për VMRO-DPME-në.
Për LSDM-në do të votonin 9,3 për qind e të anketuarve, BDI-ja 6,1 për qind, PDSH-ja 3,9 për qind, ndërsa DR-ja 1,5 për qind.
NOA-INA