English

Meta takon raportuesin e OKB-së

Tiranë, 23 shkurt, NOA - Raportuesin e Posaçëm të OKB-së për të drejtat e njeriut për vrasjet jashtëgjyqësore, Philip Alston vlerësoi rolin e shtetit shqiptar në respektimin e të drejtave të njeriut. Gjatë një takim të zhvilluar sot me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtme, Ilir Meta, raportuesi i OKB-së u shpreh se qeveria shqiptare ka ofruar në bashkëpunim të shkëlqyer.

Alston shprehu vlerësimin e tij për transparencën e plotë të Qeverisë shqiptare në trajtimin e çështjeve të mbuluara nga vizita e tij në Shqipëri si dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe mbështetjen e plotë që i është ofruar nga të gjithë përfaqësuesit qeveritarë.

Ai gjithashtu falënderoi ministrin Meta për bashkëpunimin e ofruar nga Ministria e Punëve të Jashtme si dhe për rezultatet e Qeverisë shqiptare në luftën kundër krimeve ndaj jetëve njerëzore.

Një tjetër pikë e rëndësishme në takim ka qenë ajo e dënimit të krimeve të komunizmit. Përfaqësuesi i OKB-së shprehu vlerësimin e tij për iniciativën e Qeverisë shqiptare për krijimin e Institutit për krimet e komunizmit dhe ngritjen e task forcës për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të viktimave të komunizmit.

Në fund të takimit, Alston e informoi ministrin Meta se brenda 3 muajve në vazhdim ai do t'i paraqesë një raport Qeverisë shqiptare lidhur me situatën e të Drejtave të Njeriut në vendin tonë.

Nga ana e tij ministri Meta, theksoi se Qeveria shqiptare po punon në mënyrë intensive për përmirësimin e legjislacionit që mbulon këto fusha, më qëllim përafrimin e tij me legjislacionin e BE-së.

m.xh/NOA

KOMENTE