Tiranë, 23 shkurt, NOA - Eshtë mëse i logjikshëm kthimi në Kuvend i deputetëve të Partisë Socialiste, por kjo nuk do të thotë se ata do ndalen nga kërkesa e tyre për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Një fakt të tillë e ka bërë me dije gjatë një konference për shtyp nga selia rozë në Tiranë, numri dy i socialistëve evropianë, Johannes Svoboda.
Pas një takimi që ai ka zhvilluar me kryesocialistin Edi Rama, ai ka pohuar idenë se PS duhet të kthehet në Kuvend, porse ajo nuk mund ta ndalë punën për transparencë.
"Socialistët nuk e përjashtojnë idenë që të hapen kutitë, por gjithsesi, uk është puna jonë të ndërhyjmë në punët tuaja të brendshme", ka mbajtur distancë Svoboda lidhur me zhvillimet në Shqipëri.
Sipas tij, kompromisi nuk duhet të vijë vetëm nga opozita, por edhe nga mazhoranca, e cila me qëndrimin e saj duhet të nxisë demokracinë në vend dhe jo ta pengojë atë.
Në këtë kuadër, ai ka thënë se hapja e kutive do të ishte një akt të cilin ajo duhet ta lejojë për të siguruar transparencën e sistemit zgjedhor në vend.
Kjo sipas Svobodës, mund të bëhet edhe pa ndërhyrjen e gjykatave apo daljen kundër tyre.
n.e/NOA