English

Xhaferri: FSHF, dëno dhunën në stadiume!

Tiranë, 23 shkurt, NOA - Federata Shqiptare e Futbollit duhet të marrë masa të ashpra dhe të përjashtojë nga stadiumet edhe deputetët apo kryetarët e bashkive që futen aty çdo javë. Një urdhër i tillë i është dhënë prej ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri kreut të Federatës, Armand Duka gjatë një takimi. Xhaferri dënoi aktet e dhunës në ndeshjet Flamurtari-Kastrioti dhe Gramozi-Vllaznia, duke ngritur madje një padi penale ndaj ndihmës trajnerit të Gramozit që goditi arbitrin anësor.

"Kam patur një takim me presidentin e FSHF-së, të cilit i kam kërkuar dhënien e një përgjigje të fortë për këto akte barbare", - tha Xhaferri lidhur me një fakt të tillë.

Sipas tij, përsa i përket ndeshjes Flamurtari-Kastrioti, Federata ka Komisionin e saj të Disiplinës, i cili do të ketë mbështetjen e ministrisë për të dënuar të gjithë fajtorët, duke nisur nga arbitrat.

"Po kështu, për ndeshjen Gramozi-Vllaznia, me cilësinë e ministrit të sporteve kam ngritur një padi penale ndaj shtetasit Altin Petrit Hodaj, me akuzën goditje për shkak të detyrës, që dënohet deri në tre vjet burg. Ky njeri ka goditur barbarisht një gjyqtar futbolli, duke kryer një akt të patolerueshëm", shtoi ministri i Sporteve.

n.e/NOA

KOMENTE