English

Fullani: Kriza greke po vjen në Shqipëri

Tiranë, 24 shkurt, NOA - Problemet në ekonominë greke mund transferohen dhe në ekonominë shqiptare. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u shpreh sot në një konferencë për shtyp se rënia e ekonomisë greke do të ndjehet në bizneset që operojnë në Shqipëri dhe kryesisht te bankat.

"Situata e brishtë e ekonomisë greke po studiohet nga Banka e Shqipërisë. Mendoj se plani tre vjeçar fiskal për një korrektim ambicioz është një ogur i mirë për ekonomitë e euro zonës. Tkurrja fiskale do të ketë pasoja në ekonominë greke, e për rrjedhim ekonomia shqiptare do të ndikohet, Veçanërish në tregtinë e jashtme, në remitanca dhe në bankat greke" u shpreh guvernatori i Bankës.

Fullani vlerësoi se zhvillimet më të fundit monetare karakterizohen nga një rritje e ulët e parasë së gjerë, nga një ndërmjetësim i ulët i bankave për financimin e sektorit publik dhe privat, por edhe nga një stabilizim i treguesve të likuiditetit të sistemit bankar.

Zgjerimi monetar vjetor rezultoi rreth 7 për qind në terma nominalë, duke ruajtur të njëjtin ritëm të shënuar dhe në muajin nëntor, - deklaroi Fullani.

Ai veçoi dhe faktin se depozitat kanë shënuar rritje vjetore për të dytin muaj radhazi, e udhëhequr kryesisht nga rritja e depozitave me afat.

Kurse përmendi se kredia për sektorin privat u rrit në terma nominalë me 11 për qind kundrejt një viti më parë dhe se në terma realë kjo rritje ishte vetëm 4 për qind.

"Zgjerimi i kredisë ka ardhur kryesisht në formën e financimit të likuiditetit të bizneseve, ndërkohë që kredia për individë ka vijuar të tkurret në terma vjetorë", - tha Fullani. Por ai theksoi se megjithë përmirësimin e aktivitetit kreditues gjatë muajit dhjetor, ritmi vjetor i rritjes së tij mbetet i ulët në terma historikë.

"Ecuria e ngadaltë e kredisë kushtëzohet nga një ambient me prime të larta rreziku, i materializuar në kushte të shtrënguara kreditimi, dhe nga pasiguria e agjentëve ekonomikë për të ardhmen, e materializuar në kërkesë të ulët për kredi të sektorit privat", - deklaroi shefi i Bankës së Shqipërisë.

Duke bërë një përmbledhje të tre mujorit të katërt të 2009-ës Fullani u shpreh se vihet re një ulje e kërkesës.

Fullani deklaroi se norma bazë e interesit do mbetet e pandryshuar në masën, 5.25%. Por ai nënvizoi se ekonomia e vendit po jepe shenja inkurajuese për ekonominë.

m.xh/NOA

KOMENTE